Hapet aksi që lidh zonën e veriut me Doganën e Tiranës dhe Portin

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektoi gjatë ditës së sotme përfundimin e punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor që lidh Vorën me ish-fabrikën e tullave dhe doganën e Tiranës. Rruga me gjatësi 1.2 kilometra konsiderohej një ndër më problematiket për shkak të gjendjes së degraduar dhe fluksit në rritje të mjeteve që e përshkonin.

“Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 km për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Është një model i mirë i rehabilitimit të thellë dhe projektit të suksesshëm që kemi sëbashku me Bankën Botërore”, u shpreh drejtori i ARRSh-së Qendro.

Ndërkaq, ai njoftoi se nga dita e enjte nis ndërhyrja në një tjetër segment të rëndësishëm, atë që lidh Vorën me Fushë Krujën.

“Dua të bëj një njoftim tjetër. Do të komunikojmë në vijim edhe përmes medias, ditën e Enjte ne fillojmë rehabilitimin e segmentit Vorë-Fushë Krujë. Do të bëjmë njoftimin përkatës si do të punohet bashkë me planin e trafikut që do hartohet në bashkëpunim me Policinë Rrugore”, nënvizoi Qendro.

I pranishëm në inspektim ishte dhe deputeti Sadi Vorpsi, i cili tha se përmes investimit ka marrë zgjidhje dhe një kërkesë e kahershme e Bashkisë së Vorës për rrjetin e ujësjellësit.

“Ky segment prej 1.2 km siç e shikoni dhe vet është bërë konform të gjitha standardeve. Është plotësuar edhe një kërkesë e Bashkisë Vorë për të ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit pasi gjatë kësaj ndërhyrjeje u punua në 560 metra linerare duke përmirësuar njëkohësisht dhe furnizimin me ujë të gjithë banorëve të Bashkisë Vorë”, theksoi Vorpsi.

Në segmentin Vorë- ish Fabrika e Tullave janë realizuar punime të thella rehabilituese të cilat përfshijnë punime të plota të nënshtresave rrugore me një thellësi deri 80-90 cm; punime të shtresave asfaltike; punime të sistemit të kullimit të ujërave të shirave; ndërtimi i tombinove dhe punime të sigurisë rrugore që kanë të bëjnë me sinjalistikën horizontale dhe vertikale në të gjithë gjatësinë.

Vlera e investimit të kryer për rehabilitimin e këtij aksi rrugor arrin në rreth 616 mijë euro dhe punimet për të nisën gjatë muajit Korrik./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi