Guvernatori i Bankës së Greqisë: Respektojmë zotimet ndaj partnerëve, ndryshe rrezikojmë

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë paralajmëroi vendin që të mos tërhiqet nga angazhimet ndaj huadhënësve, edhe pasi të dalë nga i ashtuquajturi “plan shpëtimi”, pasi rrezikon që të braktiset nga tregjet.

Yannis Stournaras i tha të përditshmes Kathimerini se çdo kthim prapa mund të krijonte rreziqe të mëdha për Greqinë, pasi vendi do të ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj turbullirave financiare në Turqinë fqinje, Itali dhe më gjerë.

Athina do të dalë nga “plani i shpëtimit” më 20 gusht dhe do të mbështetet në tregjet e obligacioneve në vijim, për të rifinancuar borxhin e saj pas një krizë gati dymbëdhjetëshe të borxhit, që e zvogëloi ekonominë e saj me një të katërtën dhe e detyroi atë të zbatonte masa shtrënguese të dhimbshme.

“Nëse nuk zbatojmë ato për të cilat kemi rënë dakord, tani ose në të ardhmen, tregjet do të na braktisin dhe ne nuk do të jemi në gjendje të rifinancojmë huatë e maturuara në kushtet e borxhit të qëndrueshëm”, tha për gazetën, Guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras.

Qëkur kriza e borxheve shpërtheu në fillim të vitit 2010, katër qeveri të njëpasnjëshme luftuan për të shmangur falimentimin, duke u mbështetur në planin e shpëtimit më të madh në historinë ekonomike, me më shumë se 260 miliardë euro të huazuara nga partnerët e zonës euro dhe FMN.

“Nëse ka turbullira të forta ndërkombëtare, në Italinë fqinje, në Turqi, ose në ekonominë globale, do të përballemi me vështirësi në kapjen e tregjeve, duke qenë se koeficienti i ndjeshmërisë së bonove greke mbetet i lartë”, tha Stournaras.

“Le të mos harrojmë se zona euro ende ka boshllëqe në arkitekturën e saj. Sindikata bankare nuk ka përfunduar, kështu që çdo konvulsion ndikon më shumë në shtetet anëtare më të dobëta”, tha ai.

Pas shpëtimit, Athina është zotuar të arrijë suficitet buxhetore primare, duke përjashtuar shpenzimet e shërbimit të borxhit, prej 3.5 përqind të PBB-së deri në vitin 2022 dhe 2.2 përqind deri në vitin 2060.

Ministri francez i Financave Bruno Le Maire i tha gazetës greke To Vima se qëllimi i programit të përshtatjes ekonomike të Greqisë ishte kthimi i vendit në normalitet dhe se dalja e saj nga plani i shpëtimit, është një “sukses i madh”.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi