Guterres: Populli i Arakanit nuk mund të bëhet viktimë e harruar

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres kritikoi politikën e “spastrimit etnik” që forcat e sigurisë së Mianmarit kanë zbatuar në Arakan. Ai thotë se “Populli i Arakanit nuk mund të bëhet viktimë e harruar”.

Pas vizitës në kampet e refugjatëve të Arakanit në Bangladesh, Guterres shkroi mbi përshtypjet e tij në “Washington Post”.

“Asgjë nuk mund të më përgatiste mua për të dëgjuar këto histori që më shkaktojnë dhimbje deri në eshtra”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres duke shtuar se janë shumë të vështira për t’u konceptuar përjetimet e tmerrshme të viktimave të cilat në disa raporte cilësohen si “spastrim etnik” dhe se kjo është e vërteta e rreth 1 milion refugjatëve të Arakanit.

“Fëmijët e vegjël janë masakruar para syve të familjarëve. Teksa anëtarët e familjes janë torturuar, vajzat dhe gratë janë përballur me përdhunime masive. Fshatrat janë djegur, janë bërë hi”, thekson Guterres.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se qytetarët e Arakanit janë të privuar nga të drejtat themelore, madje edhe shtetësia, Guterres tha se forcat e sigurisë së Mianmarit me shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut kanë terrorizuar popullatën e Arakanit dhe i kanë imponuar alternativën “Ose qëndro këtu me frikën e vdekjes, ose largohu duke lënë çdo gjë për të mbijetuar”.

– “Ndaj kësaj krize duhet të ketë një përgjigje globale”

Qytetarët e Arakanit vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira në vendet ku ata kanë mbërritur dhe kampet e refugjatëve në Banlgadesh natyrshëm janë bërë ‘kriza e refugjatëve që rritet më shpejtë në botë'”, ka shkruar Guterres.

Por, “Ndaj kësaj krize duhet të ketë një përgjigje globale”, vlerëson Guterres i cili ka shprehur kënaqësinë që qeveria dhe populli i Bangladeshit ka hapur kufijtë dhe zemrat e tyre për refugjatët në një kohë kur vendet më të pasura dhe më të mëdha i kanë mbyllur dyert.

Guterres potencon nevojën për më shumë burime duke shtuar se organizatat e OKB-së dhe ato humanitare për të përmirësuar kushtet po punojnë me refugjatët dhe vendet që kanë zgjatur dorën për ta.

Ai vuri në dukje se vetëm 26 për qind e kërkesës për rreth 1 miliard dollarë ndihma humanitare kanë mundur të financohen. “Nuk janë të mjaftueshme vetëm fjalët e solidaritetit. Populli i Arakanit ka nevojë për ndihmë të vërtetë”, tha kreu i OKB-së.

Guterres ka vënë në dukje se kjo krizë nuk mund të zgjidhet vetëm në një ditë, por se gjithashtu nuk do të lejojnë që ajo të vazhdojë. Sipas tij, qeveria e Mianmarit është e detyruar të sigurojë kthim të sigurtë ku refugjatëve do t’u jepen të drejta të plota dhe do të sigurohet për ta një jetë e sigurtë dhe dinjitoze.

“Mjerimi dhe urrejtja do të vazhdojnë të çojnë në konflikte, përsa kohë që nuk do të diskutohen gjerësisht arsyet rrënjësore të dhunës në rajonin e Arakanit. Populli i Arakanit nuk mund të bëhet viktimë e harruar. Ne duhet t’u përgjigjemi këtyre kërkesave të hapura për ndihmë duke kaluar në veprim”, ka përfunduar në shkrimin e tij Guterres.

- ISLAMSHOP.CH -

LEXO MË SHUMË

Së fundi