Greqi/ Shkon në 66 numri i të prekurve nga koronavirusi

Ministria greke e Shëndetësisë ka bërë me dije se në vend janë regjistruar edhe 21 raste të reja me koronavirus ,13 prej të cilave në Ahaia dhe Ilia në Peloponez, 7 në periferinë e Atikës dhe 1 në Evia.

Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie profesorit përgjegjës për Covid 19 Sotiri Tsiodras, numri i përgjitshëm i të prekurve tashmë ka arritur në 66 , të gjithë të kombësisë greke. Prej tyre 51 vijnë nga grupi i turistëve që vizitoi para një jave Jeruzalemin dhe Kajron si dhe 4 persona prej rrethit të tyre familjar.

Një nga të prekurit, 67 vjeç, vazhdon të kurohet dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Patres, 22 janë ende në karantinë në spital, ndërsa të tjerët me simptoma të lehta qëndrojnë të izoluar në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë në alarm janë edhe mjekët e qytetit të Janinës, pasi është kthyer nga Jerusalemi një grup tjetër turistesh grekë, të cilët deri më tani nuk kanë shfaqur simptoma, por janë këshilluar të rrinë të izoluar në shtëpitë e tyre për 14 ditë, pa u kontaktuar me persona të tjerë.

Organet greke kanë marrë masa shtesë për dezinfektimin e shumë ambienteve publike si metro apo stacione treni, ndërsa shumë shkolla në disa periferi të mëdha të vendit, do vazhdojnë të jenë të mbyllura për një javë akoma.

Ndërkohë reagime të mëdha kanë shkaktuar në qarqet mjekësore dhe mediatike deklaratat e zv/rektorit të Universitetit Aristotelis në Selanik që janë quajtur edhe teori konspiracioni. Duke folur për një televizion lokal ai ka hedhur supozime se virusi në fjalë është i prodhuar në laboratorë, vaksina kundër tij është prodhuar para virusit dhe do të jetë në dispozicion në fund të tetorit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi