Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, thotë se zyrtarisht nuk është vënë në dijeni mbi një vendim gjykate, ndaj saj apo edhe ndaj Ilir Metës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kryemadhi, për të cilën mediet raportuan se Gjykata e Posaçme ka caktuar “detyrim paraqitje”, shkruan se sapo të njoftohet për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjet me të gjitha hapat ligjorë dhe publikë.
“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.
Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi.
Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjorë dhe publikë”- shkruan Kryemadhi.
Deputetja shton se “persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik”.
“Duke nisur nga inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”- shkruan Kryemadhi.
Mesditën e sotme me urdhër të SPAK u arrestua ish-presidentit Ilir Meta ndërsa u raportua për marrjen e masës detyrim paraqitjeje për deputeten Kryemadhi, ish-bashkëshorte e Metës.