Gjithçka që duhet të dini për llojet e ndryshme të sheqerit

Ëmbëlsuesi më i përdorur sot është padyshim sakaroza, sheqeri i bardhë i zakonshëm.

Ai prodhohet nga panxhari i sheqerit ose nga kallami i sheqerit, por gjatë përpunimit pëson një sërë trajtimesh kimike dhe fizike, që e privojnë nga të gjitha vitaminat dhe kripërat minerale, të pranishme në produktin origjinal, duke lënë vetëm sheqerin e pastër, 100% sakarozë, i cili në organizmin tonë përdoret vetëm për të prodhuar energji, pa marrë substanca të tjera ushqyese.

Rreziqet e sheqerit të bardhë

Për të mos rritur nivelin e glukozës në gjak, sakaroza rrit ndjeshëm prodhimin e insulinës dhe duket se kjo stimulon, në të njëjtën kohë, edhe zhvillimin e disa lloje tumoresh. Disa studime kanë konfirmuar se niveli i lartë i disa hormoneve, si insulina, favorizojnë tumorin e gjirit, ndërsa nivelet e ulëta të saj, na mbrojnë nga disa forma të tjera tumorale, si ai i zorrëve.

Përveç kësaj, nivelet e larta të insulinës provokojnë një rënie të papritur të glukozës në gjak, ose e ashtuquajtura “kriza e ipoglicemisë”, thënë ndryshe, një krizë urie që na shtyn të hamë ëmbëlsira për të rivendosur sasinë e duhur të glukozës në gjak. Kjo gjë përsëritet bashkë me rrezikun e mbipeshës dhe diabetit. A nënkupton kjo fundin për ëmbëlsirat? Sigurisht që jo!

Ka plot zgjidhje të vlefshme për zëvendësimin e sakarozës, të shkëlqyera në shije dhe të padëmshme për shëndetin.

Ja disa prej tyre:

Fruktoza: Po, por me doza të vogla

Fruktoza është një sheqer i thjeshtë që përthithet shpejt. Përftohet nga misri dhe është një prej ëmbëlsuesve më të përdorur. Fruktoza nuk e rrit gliceminë, ka më shumë fuqi ëmbëlsuese sesa sakaroza, dhe për këtë arsye, mjafton pak për të pasur të njëjtin efekt me të. Ja ku u zgjidh, do të mendojë dikush, por nuk është kështu. Fruktoza shkakton rezistencë ndaj insulinës, një fenomen në të cilin insulina nuk arrin të kalojë glukozë në qeliza. Si rrjedhojë, rritet glicemia dhe pankreasi duhet të prodhojë gjithnjë e më shumë insulinë për të mbajtur nën kontroll nivelin e glukozës në gjak.

Një mekanizëm që, nëse vazhdon gjatë kështu, rrezikon të shkaktojë diabet. Nga ana tjetër, fruktoza shkakton rezistencë të leptinës, një hormon i prodhuar nga indet dhjamore që komunikon me sistemin nervor, duke dhënë ndjesinë e ngopjes. Një kambanë alarmi që, nëse dëmtohet, shkakton mbipeshë dhe obezitet. Si përfundim, një sasi e vogël mund të jetë e përshtatshme për diabetikët që nuk arrijnë të heqin dorë nga të ëmblat, por gjithsesi duhet të përdoret në mënyrë të moderuar.

Sheqernat e përftuar nga misri

Shurupi i glukozës dhe fruktozës përftohen nga përpunimet kimike të nishestesë së misrit. Janë shurupra me efekt të lartë ëmbëlsues, shumë të përdorur tek pijet dhe në produktet e furrës. Duke qenë kaq të përhapur, ato janë ndër përgjegjësit kryesorë të obezitetit. Nga ana tjetër, nuk janë produkte natyralë, por kimikë. Pra duhen konsumuar sa më pak.

Sheqeri me ngjyrë të kaftë: vetëm integral

Le të sqarojmë diçka si fillim: Sheqeri i kaftë, ai i bustinave nëpër bare ose ai që i thonë thjeshtë “sheqeri kaf”, është një produkt jo i përcaktuar mirë. Mund të jetë edhe sheqer i rafinuar, por ende me disa mbetje, ose i ngjyrosur. Por nëse shohim përshkrimin “sheqer integral i kaftë”, atëherë bëhet fjalë për lëngun e nxjerrë nga kallami i sheqerit, më pas i avulluar, pa trajtime të tjera kimike.

Ai është si pluhur, pak i errët, me aromë të fortë dhe shitet me emra të tipit, Panela ose Mascobado, nga kompani produktesh biologjike.

Sheqeri integral i kaftë është i përbërë nga sakaroza, e cila edhe pse në përqindje më të ulëta se tek sheqeri i rafinuar, mund të ngrejë gliceminë. Megjithatë, ka avantazhin se sjell në organizëm, përveç energjisë, edhe kripëra minerale. Sheqeri integral përmban kripërat e kromit, që ndikojnë në mirëfunksionimin e insulinës dhe substanca të tjera që zvogëlojnë, sado pak, përthitjen e glukozës.

Lëngu i agaves, shurupi i panjës dhe maltit

Lëngu i agave përftohet nga bima e agaves, i përqendruar dhe vënë në vakum. Është i përbërë, në pjesën më të madhe, nga fruktoza, me të njëjtat efekte të saj, por ka avantazhin se është një produkt natyral, pra ka në përbërje, qoftë edhe në sasi të vogla, kripëra minerale. Shurupi i panjës përftohet nga zierja. Përmban 10-40 % sakarozë, minerale si kalium, kalcium, magnez, hekur, vitamina dhe një sasi modeste kalorish.

Ka veti ushqyese më të mira se fruktoza dhe sheqeri i bardhë. Malti është një ëmbëlsues natyral, që përftohet nga fermentimi i drithërave si elbi, orizi, misri dhe gruri. Gjatë këtij procesi, sheqernat kompleksë që përmbajnë drithërat, transformohen në sheqerna të thjeshtë. Përmbajnë kripëra minerale dhe sasi të vogla proteinash. Janë më pak ëmbëlsues se sheqeri i rafinuar dhe kanë të njëjtat vlera si drithërat prej nga vijnë. Këto janë produktet e përshtatshme për t’u zëvendësuar me sheqerin e rafinuar.

Mjalti dhe lëngu i frutave

Mjalti është një produkt shumë i ushqyeshëm, por rrit gliceminën dhe ka pothuajse të njëjtat kalori si sheqeri i bardhë. Pra duhet përdorur në mënyrë të moderuar dhe këshillohet, në mënyrë të veçantë, pas ose gjatë një aktiviteti intensiv fizik. Lëngu i frutave, më shumë i përdorur si ëmbëlsues, është ai i mollës, dardhës, rrushit, shpesh në variant të përqendruar, i shtuar në ushqime dhe pije të ndryshme. Janë produkte natyralë, me të dhëna glicemie më të ulët se sakaroza, ideale për t’u ç’mësuar me shijen shumë të ëmbël të sheqerit të bardhë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi