Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi se boshllëqet në pajisjet ushtarake të vendit do të mbeten edhe përtej vitit 2030, në komentete tij për gazetën ”Welt am Sonntag”.
“Ne të gjithë e dimë se boshllëqet ekzistuese nuk mund të mbyllen plotësisht deri në vitin 2030. Kjo është arsyeja pse ne duhet të vendosim prioritete”, tha socialdemokrati, i cili u emërua në krye të ministrisë në fillim të këtij viti.
”Një nga këto prioritete ishte mbrojtja e krahut lindor të NATO-s”, tha ai.
“Për ne, kjo do të thotë para së gjithash të ndërtojmë një divizion të pajisur plotësisht deri në vitin 2025 dhe të kontribuojmë në mënyrë adekuate në Forcën e Reagimit të NATO-s”, shtoi Pistorius.
“Bundeswehr-i ka tre detyra për të përmbushur, mbrojtjen kombëtare dhe të aleancës, si dhe operacionet e krizave ndërkombëtare. Kjo kërkon aftësi, të mbështetura me materiale dhe personel”, tha Pistorius.
Dorëzimi i armëve për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë ka lënë gjithashtu boshllëqe në aftësitë e Bundeswehr-it.
Pistorius njoftoi në janar se do ta diskutonte këtë me industrinë e armëve.