Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë këtë të hënë i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që ndodhen atje, nëse munden, të gjejnë një mënyrë dhe të largohen.
Duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme” dhe tensionet e vazhdueshme mes Ukrainës dhe Rusisë, Ambasada këshilloi qytetarët që të jenë vigjilent e të tregojnë më tepër kujdes për rrugët që do ndjekin.
Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit, njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës dhe familjarët e tyre nga Ukraina.
“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë”, tha ambasada amerikane në Kiev.
Territori i Ukrainës është më se i ekspozuar nga operacionet luftarake e për pasojë rrezikshmëria është shumë e lartë në pikat e kalimit kufitar nga ku Rusia ka vendosur mijëra trupa ushtarake duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka njoftuar se nga dita kur ka nisur pushtimi rus, më 24 shkurt, rreth 368 mijë njerëz kanë ikur nga Ukraina drejt vendeve fqinje.


