Gerti Hima: Tregu muzikor po shtrembërohet nga ngjyrat e pakta

 

Eksperienca në Eurovizion ka qenë një nga më të bukurat për të. Ai bashkë me bandën e ndezën skenën. Performanca e Shqipërisë në festival do të mbahet mend gjatë nga teleshikuesit. Gerti Hima një nga bateristët më të dashur e më të talentuar që ka tregu në Shqipëri vjen në një rrëfim për suplementin “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare” për të na zbuluar zgjedhjen që ka bërë për t’i rënë baterisë, frymës që ka grupi, domethënies që kanë tatuazhet e shumta që ka në trup, dinamizmit si dhe planet që së shpejti do t’i realizojë. Bateria sipas tij është instrumenti që mban muzikën, po dhe një pasion i madh që e ka shoqëruar gjithmonë.

I shkon mjaft përshtat natyrës së tij energjike. Për publikun ata janë ndër bandat më të dashura. Gerti si një nga anëtarët më të rëndësishëm të bandës së Eugent Bushpepës, pohon se ata janë në harmoni si kolegë dhe si miq. Ai ka shumë tatuazhe, të cilat nuk nguron të na thotë se kanë një domethënie të veçantë.

Për një baterist jeta është tejet dinamike duke përfshirë faktin se i duhet të udhëtojë gjithë kohën dhe të jetë prezent thuajse çdo natë në performancat live. Sipas tij, tregu muzikor po shtrembërohet si pasojë e ngjyrave të pakta që u ofrohen njerëzve. Së fundmi, Himaj na tregon se ka dëshirë të vazhdojë studimet për instrumentin e baterinë jashtë.

Si ka qenë eksperienca në Eurovizion? Çfarë ndjesie ishte të ishe pjesë e asaj skene?
Eksperienca në Eurovizion ishte një ndër më të bukurat që kam pasur deri më tani. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme kur pashë atë publik të madh para meje dhe mbi të gjitha emocion që përfaqësoja vendin tim. Kjo bën që të rritet me shumë përgjegjësia.

Pse ke zgjedhur pikërisht baterinë?
Përpara kam provuar shumë instrumente, po bateria më ngjiti më shumë dhe është instrumenti që mban peshën e muzikës. Duke i rënë përveç kënaqësisë heq dhe çdo stres që mund të kaloj gjatë ditës.
Praktikon ndonjë instrument tjetër?

I bie pak kitarës. Më pëlqen shumë kitara bass, sepse është e lidhur ngushtë me baterinë.

Si është fryma brenda bandës suaj?
Fryma brenda grupit është shumë harmonike. Në radhë të parë jemi shok, por edhe kolegë që punojmë me shumë profesionalizëm.

Ti ke shumë tatuazhe në trup. Çfarë domethënie kanë ato?
Jo të gjitha tatuazhet kanë një domethënie, por një pjesë e madhe kanë shumë domethënie për mua.

Je natyrë mjaft solare. Gjithkund del i qeshur. Nga buron gjithë kjo energji?
Kam qenë që i vogël mjaft i qeshur dhe solar. Vazhdoj të jem dhe tani, pasi kam fatin të ushtroj profesionin që dua dhe e bëj me shumë dëshirë. Këtë energji pozitive që kam dua t’ia përcjell dhe publikut dhe mendoj që nuk do më shterojë asnjë herë.

Ka pasur ndonjë natë që je lodhur me baterinë e ke thënë nuk do i bie më?
Ufff shumë herë, por nuk është nga lodhja më shumë sesa nga publiku. Në Shqipëri dhe jo vetëm muzika po shtrembërohet. Nuk po bëhet më ajo muzikë që ka mbijetuar deri më sot. Atë publik që kemi është shumë i zjarrtë. Më mirë pak e saktë. (qesh)

Sa dinamike është jeta e një bateristi?
Pafund. Duke qenë se është sezoni i verës netët live janë shumë të shpeshta dhe pothuajse çdo ditë jam në ndonjë vend të Shqipërisë ose jashtë saj. Është goxha e lodhshme, por dhe më jep kënaqësi si nga ana profesionale ashtu edhe nga ajo monetare.(qesh)

Cilin do e veçoje si momentin kur je ndjerë më në vështirësi?
Nuk di kë të veçoj, pasi kam pasur shumë vështirësi, por me shumë punë kam arritur këtu ku jam dhe mendoj që kam nisur një rrugëtim të mirë. E di që do kem prap momente të vështira se e tillë është jeta, por gjithmonë me punë dhe pozitivitet do t’ia dal.

Cilat janë planet e Gertit për të ardhmen?
Plani më i rëndësishëm për mua është të vazhdoj studimet jashtë Shqipërisë për instrumentin e baterisë, pasi në Shqipëri akoma nuk ka një të tillë. Dëshira ime është të rritem akoma më shumë profesionalisht dhe kjo arrihet me punë dhe me studim./Gazeta shqiptare/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi