Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, inspektuan këtë të hënë, 8 dhjetor, kantierin ku po ndërtohet kampusi i ri modern i Akademisë së Forcave të Armatosura.
Gjatë vizitës, ministri Vengu konfirmoi se punimet po ecin sipas planit dhe se afati për përfundimin e fazës së parë është muaji shkurt.
“Bëhet gati në shkurt. Këto janë limitet që i kemi vendosur vetes. Duhet t’i kapim patjetër këto afate,” deklaroi Vengu.
“Limite ushtarake më duken,” iu përgjigj me humor Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e investimit, duke e cilësuar si një projekt strategjik në kushtet e sfidave globale të sigurisë.
“Është një investim fantastik për një ndër degët tona të studimit që po merr më shumë e gjithnjë rëndësi, ndërsa uniformën ushtarake e kemi në kryefjalë të tavolinave ndërkombëtare, edhe për çështje të sigurisë. Është një investim gjithashtu që i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, aq më tepër që shikojmë që ka një kërkesë në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën.
Modeli i masterit të kombinuar në marinë, aviacion dhe inxhinieri në Universitetin e Vlorës, është një iniciativë që krijon rrjetëzim të universiteteve dhe për të parë mundësitë e ndërkombëtarizimit për të siguruar jetëgjatësi dhe cilësi të arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana e tij, ministri Vengu nënvizoi rolin e kampusit të ri si qendër ekselence në formimin ushtarak dhe akademik, duke theksuar se standardet e reja infrastrukturore dhe pedagogjike do të përgatisin kuadro të afta për misione kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Jemi në kushtet kur 80 përqind e punës ka mbaruar dhe në një situatë ku kemi një numër shumë të madh regjistrimesh. Këtë vit kemi pasur një numër rekord: 1630 aplikime për vetëm 80 vende. Në muajin shkurt do të jetë gati për të nisur programet bachelor dhe master, sepse përveç një akademie ushtarke të mirëfilltë përgatit edhe profesionistë të inxhinierisë apo ekonomisë që i shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e forcave të armatosura. Do të kemi një ofertë akademike e cila përveç kurseve akademike, do të ketë edhe kurse të specialiteteve, siç është masteri në sigurinë kibernetike që po bëhet gjithnjë e më atraktiv, por për të mbështetur edhe sektorë të tjerë shtetërorë që kanë nevojë për kapacitete”, tha Vengu.
Ministri Vengu prezantoi detaje mbi projektin, duke e cilësuar kampusin e ri si elitë të edukimit ushtarak në Shqipëri.
Ai bëri me dije se kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura shtrihet në një sipërfaqe prej 7 mijë e 600 m² dhe do të ofrojë klasa moderne, auditore bashkëkohore, poligon stërvitor, pishinë, laboratorë dhe ambiente të tjera funksionale që plotësojnë standardet më të larta të arsimit ushtarak.
Projekti parashikon gjithashtu hapësira të dedikuara për akomodimin e studentëve. Faza e parë përfshin ndërtimin e sallave të studimit, pra fokusohet në aspektin mësimor, ndërsa faza e dytë do të shtojë mensën, dhomat e fjetjes dhe ambientet e jetesës.
Aktualisht, po punohet intensivisht në kantierin e fazës së parë, me synimin që objekti të jetë funksional brenda fillimit të vitit të ardhshëm akademik. Më tej në fjalën e tij, ministri Vengu shpjegoi se studentët e kësaj akademie trajtohen me pagesë gjatë periudhës së studimeve dhe kanë mundësinë e specializimit në akademi prestigjoze të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.


