Foshnja afgane i mbijeton sulmit me bombë

Një foshnje i ka mbijetuar sulmit vetëvrasës të talebanëve në Afganistan të enjten, ndërsa sulmi shkaktoi reagime në vendin e shkatërruar nga lufta.

Spitali kryesor publik në provincën e largët jugore të Zabulit u shkatërrua nga sulmi i talebanëve me kamion bombë herët në mëngjes, në të cilin humbën jetën të paktën 20 njerëz dhe u plagosën mbi 90 të tjerë.

Shpërthimit i shpëtoi e padëmtuar një foshnje e vogël, ndërsa polici afgan tregon në sfondin e një video virale se ai e gjeti të shtrirë dhe të padëmtuar mes viktimave të tjera.

Foshnja gjashtë muajshe ishte dërguar në spital për vaksinim nga nëna e saj, e cila kishte “plagë të rënda”, tha për AA Gul Islam, zëdhënësi i guvernatorit të provincës.

Ky është sulmi i fundit në serinë e dhunës së egër në Afganistan dhe shkaktoi reagime të afganëve në rrjetet sociale.

“Ku është njerëzimi? Sa kohë mund të vazhdojë kjo vrasje dhe gjakderdhje? Ky mjerim i përhershëm duhet të marrë fund”, tha një përdorues i rrjetit social Twitter.

“Unë nuk mund ta kuptoj, pavarësisht nga bindjet e tyre (talebanët), në fund të fundit ata po vrasin popullin e tyre”, tha një tjetër përdorues.

Duke pretenduar përgjegjësinë për sulmin, talebanët thanë se për objektiv kishin objektin e afërt të shërbimit sekret afgan.

Sulmi është dënuar ashpër nga qeveria afgane dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i Ndihmës i OKB-së në Afganistan në një raport evidentoi 3.812 viktima civile (1.366 vdekje dhe 2.446 të plagosur) vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019.

Sipas raportit, gratë dhe fëmijët vazhdojnë të ndikohen në mënyrë disproporcionale nga konflikti i armatosur në Afganistan. Deri në 30 qershor 2019, 430 viktima të konfliktit ishin gra (144 vdekje dhe 286 të plagosur) dhe 1.207 viktima fëmijë (327 vdekje dhe 880 të plagosur).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi