Policia e Tiranës, Shkodrës dhe Korçës në kuadër punës për ruajtjes së rendit dhe sigurisë kanë realizuar operacione policore në mbrojtjes të mjedisit, kundër pasaportave false dhe kundër basteve të paligjshme.
Sipas njoftimit të Policisë, “shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme dhe në lokale. Si rezultat, kanë goditur një tjetër rast të kësaj paligjshmërie, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit K. Sh., 31 vjeç dhe K. Sh., 29 vjeç, banues në Maliq”.
“Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në fshatin Libonik, në lokalin e 31-vjeçarit, këtij shtetasi dhe 29-vjeçarit, iu gjetën dhe u sekuestruan, 4 aparate celularë që dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive, në të cilët kishin ruajtur edhe bileta lotarie në emër të shtetasve të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Korçës.
Policia e Shkodrës, nga krahu tjetër, ka referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 30 vjeç, pasi është kapur duke transportuar me kamion, 15 m3 dru për zjarr, të prerë në mënyrë të kundërligjshme.
Në Tiranë u finalizua operacioni policor i koduar “False”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Rinas.
Vihet në pranga një 42-vjeçar (shtetas suedez) që ndihmoi një shtetase tajlandeze, që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i siguruar asaj, dokumente identifikimi të falsifikuara. Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari do ta trafikonte këtë shtetase, në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.Sekuestrohen mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, që dyshohet se 42-vjeçari ia jepte shtetasve të ndryshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin”,.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonin dy shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. O., 42 vjeç, banues në Suedi”, njofton Policia e Tiranës.
“42-vjeçari i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasja, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, përfundon Policia e Tiranës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.