Faza e parë e Portit të ri në Porto Romanos tenderohet këtë vit

Autoriteti Portual i Durrësit pritet të tenderojë këtë vit fazën e parë të punimeve për portin e ri të Porto Romanos.

Punimet në këtë fazë kanë një kosto rreth 390 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2025 bëjnë me dije burimet nga Autoriteti Portual i Durrësit.

Faza e parë e ndërtimit përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekti detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.

Në këtë fazë do të ndërtohen vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj.

APD, me mbështetjen e Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë do të sigurojë të gjitha miratimet e nevojshme për të realizuar fazat e tenderimit dhe ndërtimit (nga 2023 e në vijim) në varësi të mundësive financiare.

Përveç përpunimit të mallrave rreth 2 milionë kontejnerë në vit, Porti i ri Porto Romanos parashikohet të përpunojë deri në 1 milionë pasagjerë në vit, edhe pse ky shërbim ishte lënë për tu kryer nga Marina e Jahteve në Durrës.

Autoriteti Portual i Durrësit ka lidhur tashmë një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V. – ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C. – ABKONS SH.P.K. -TAULANT SH.P.K. – GEO-ENG SH.P.K.”, për përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve/superstrukturës për trajtimin e ngarkesave.

Royal HaskoningDHV që ka punuar për studimin e fisbilitetit për Portin ri në Porto Romano ka finalizuar një kosto totale prej rreth 2 miliardë eurosh për ndërtimin tërësor të portit.

Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050.

Ndërkohë pala shqiptare ende nuk ka qartësuar formën e financimit të këtij projekti të kushtueshëm dhe strategjik për vendin.

Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset ne Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvendosja e shërbimeve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.

Ndërkohë ky proces ka nxitur pasiguri tek investitorët dhe përdoruesit e Portit të Durrësit, pasi ndërtimi i një porti të ri kërkon investime të mëdha dhe një infrastrukturë krejt të re.

Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat. Modeli i një PPP-je në ndërtim duket se do të shtrihet edhe në këtë projekt ndërkohë që edhe operimi do të përfshijë sektorin privat me kontrata specifike një model që e ka aktualisht edhe Porti i Durrësit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi