Europa League, eliminohet Grezda. Spanjollët s’zhgënjejnë

Dy skuadrat spanjolle, Sevilla dhe Villareal përmbushën pritshmëritë duke u kualifikuar për në raundin e 1/16-ave të Europa League madje si koka grupi.

Sevilla, e cila e ka fituar 3 herë në 5 vitet e fundit këtë kompeticion, bëri detyrën ndaj rusëve të Krasnodar në Ramon Sanchez Pizjuan, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke avancuar më tej si e para e grupit J, me pikë të barabarta 12 me Krasnodarin, por spanjollët kishin avantazhin e ndeshjeve direkte.

2-golëshi i francezit Ben Yedder dhe finalizimi i Ever Banegas ishin mëse të mjaftueshëm për Sevillan. Rusët nga ana tjetër përfituan edhe nga barazimi i belgëve të Sandart Liezh në Turqi ndaj Akhisarspor, për të kaluar në raundin tjetër.

Në grupin G ku gjithçka kishte mbetur e hapur deri në ndeshjet e fundit, Villareal mposhti lehtësisht 2-0 Spartakun e Moskës me golat e dy afrikanëve Chukëueze dhe Ekambit dhe u kualifikua në 1/16-at si e para e grupit, me pikë të barabarta 10 me Rapidin e Vjenës që në Austri mposhti 1-0 skocezët e Rangers, në një sfidë në të cilën Eros Grezda u aktivizua si zëvendësues në minutën e 72-të, por pa mundur të lerë shenjë.

Në grupin H, Frankfurti e mbylli me pikë të plota pasi mposhti 2-1 me përmbysje Lazion brenda në Romë, megjithatë edhe bardhekaltrit e kishin siguruar kalimin më tej. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi surprizuan qipriotët e Apollon Limassol, që fundosën akoma më shumë Olympique Marseille me suksesin 3-1 brenda në Francë.

Në Grupin I, belgët e Genk avancuan në raundin tjetër si kokë grupi pas fitores së thellë 4-0 ndaj norvegjezëve të Sarpsborg, ndërkohë që befasoi Besiktas që i dha lamtumirën turneut falë humbjes 0-1 në shtëpi ndaj suedezëve të Malmo, edhe pse turqve u mjaftonte vetëm barazimi për të avancuar më tej.

Barazimi 2-2 mes hungarezëve të Mol Vidit dhe Chelsea-it në grupin L, me skuadrën e Sarrit që nuk e mbylli dot me pikë të plota, ndërkohë që u kualifikua në 1/16 Bate Borisov falë fitores 1-3 brenda në Selanik ndaj Paokut.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi