Europa duhet të bashkohet përballë Kinës!

Kur kërkojnë kapital investues dhe marrëveshje komerciale në dukje fitimprurëse, qeveritë anëtare të BE-së jo gjithmonë i marrin në konsideratë interesat e përbashkëta evropiane. I tillë ka qenë rasti sidomos në lidhje me Kinën. Megjithatë, shtetet anëtare që ndjekin një marrëdhënie me Kinën në mënyrë të njëanshme rrezikojnë vetë dhe pjesën tjetër të Evropës.

Guy Verhofstadt

Përpjekjet për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët të BE-së ndaj Kinës kanë qenë deri tani të kufizuara. Të hutuar nga saga e pafund e Brexit-it dhe kërcënimet e paraqitura nga Teknologjitë e Mëdha, liderët e BE-së nuk kanë gjetur kohë për të diskutuar shumë çështje të tjera të rëndësishme. Megjithatë, në pritje të një samiti të ardhshëm BE-Kinë më 9 prill, krerët e BE-së eksploruan qasje të përbashkëta me Kinën në një takim këtë muaj në Bruksel, ku ata theksuan rreziqet e vendimit të qeverisë italiane për të mbështetur “Nismën një Brez një Rrugë” (BRI) të presidentit kinez Xi Jinping.

Ky paralajmërim kaloi pa u vënë re. Të nesërmen, qeveria populiste e koalicionit italian mirëpriti Xi Jinping në Romë dhe nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Kinën, duke dalë vepruar ndryshe nga pjesa tjetër e BE-së. Mjerisht, vendimi i Italisë për të marrë pjesë në BRI në mënyrë të njëanshme nuk do të dëmtojë vetëm ndikimin kolektiv të BE-së përballë Kinës, por gjithashtu do të rezultojë në një marrëveshje më të keqe për popullin italian.

Italia nuk është shteti i parë anëtar i BE-së që nënshkruan një marrëveshje në programin kryesor të investimeve të infrastrukturës së Kinës, por është ekonomia më e madhe evropiane dhe vendi i parë G7 që e bën këtë gjë. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se veprimi i fundit i qeverisë italiane përfaqëson një goditje të befasishme për Xin Jinpingun dhe një pengesë për Evropën. BRI, në fund të fundit, nuk është një nismë bamirëse e zhvilluar për përmirësimin e njerëzimit. Është një program i politikës së jashtme i projektuar në mënyrë eksplicite për të zgjeruar ndikimin ekonomik dhe gjeostrategjik të Kinës në nivel global. Siç paralajmëroi kohët e fundit Këshilli i Sigurimit Kombëtar i SHBA-së, qeveria italiane është drejt rrugës për të legjitimuar “qasjen grabitqare të Kinës ndaj investimeve” pa dhënë asnjë përfitim për “popullin italian”.

Koha që Xi Jinping vizitoi Italinë, 22-24 mars, nuk ishte rastësi. Para zgjatjes së fundit të afatit të Brexit, Britania e Madhe ishte e vendosur të largohej nga BE-ja më 29 mars. Midis kësaj dhe zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian në maj, lidershipi i BE-së ka qenë totalisht i shpërqendruar. Nuk mund të ketë kohë më të mirë që Xi t’i bombardojë qeveritë e cenueshme të Evropës me premtime të investimeve kineze (që do të thotë hua shumë të kushtëzuara).

Për fat të mirë dhe në kontrast të thellë me naivitetin e qeverisë italiane, presidenti francez Emmanuel Macron përfshiu kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin e Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker në takimin e tij me Xi Jinpingun. Ashtu si liderët e tjerë të kujdesshëm evropianë, ai e kupton se në një botë të dominuar nga superfuqitë si Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Evropa do të lulëzojë vetëm nëse shtetet e saj anëtare do të qëndrojnë të bashkuara.

Megjithatë, pa një strategji të qartë në nivel BE-je, Evropa do të mbetet e ndjeshme ndaj taktikave të ndarjes dhe pushtimit të gjigantëve globalë dhe evropianët do të privohen nga një zë kolektiv me të cilin të mbrojnë interesat e tyre. Ashtu si Rusia, e cila ka arritur të kthejë kundër njëri-tjetrit shtetet anëtare të tubacionit të gazit Nord Stream 2, Kina do të angazhohet në mënyrë bilaterale me sa më shumë vende evropiane të mundet. Në çdo negociatë të tillë, ajo do të jetë gjithmonë në avantazh.

Një zgjidhje e mundshme, e sugjeruar nga komisioneri i BE-së Gunther Oettinger, është t’i japë Komisionit Evropian veto mbi çdo investim kinez në BE. Kjo ide është e vlefshme për t’u shqyrtuar, sepse vendimet e njëanshme nga shtetet e BE-së mund të kenë implikime të mëdha sigurie dhe ekonomike për pjesën tjetër të Evropës. Për më tepër, mundësia që qeveritë kombëtare të veprojnë sipas dëshirës së tyre frustron në mënyrë të panevojshme përpjekjet e BE-së për të krijuar një marrëdhënie më të ngushtë me Kinën.

Një marrëdhënie e fortë BE-Kinë mund të ketë përfitime të mëdha për të gjithë të përfshirët në të. Është në interesin e Evropës të forcojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, jo më pak duke punuar me Kinën për të hapur ekonominë e saj, për të përmirësuar të dhënat e saj për të drejtat e njeriut dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare. Nëse ka një gjë për të cilën mund të bien dakord liderët e BE-së, është se bashkëpunimi me Kinën duhet të mbizotërojë mbi konfrontimin.

Në samitin e ardhshëm BE-Kinë, progresi drejt një marrëveshjeje investimi BE-Kinë deri në vitin 2020 do të ishte një shenjë pozitive. Një marrëveshje e tillë mund të hapte më shumë sektorë ekonomikë në Kinë për firmat evropiane duke eliminuar pengesat ndaj qasjes në treg dhe duke reduktuar diskriminimin ndaj investitorëve të huaj të drejtpërdrejtë. Por, po aq e rëndësishme, Evropa ka nevojë për një qasje të përbashkët për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike, sidomos kur është fjala për pajisjet 5G (ku Huawei është një nga furnizuesit kryesorë).

BE-ja ka qenë shumë e ngadaltë për të hapur sytë ndaj sfidave të paraqitura nga një Kinë gjithnjë e më ambicioze. Por nëse qëndrojmë të bashkuar, mund të ndërtojmë ende një partneritet kino-evropian që do t’i shërbejë të gjitha interesave tona në të ardhme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi