Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi një udhëzim të ri që ndikon në mënyrën se si pasqyrohet konsumi i energjisë elektrike në faturat mujore të konsumatorëve.
Vendimi i ERE synon rritjen e transparencës dhe zbatimin e saktë të çmimeve të miratuara për çdo kategori konsumatori.
Sipas udhëzimit të ri, çdo faturë mujore do të përmbajë detaje të plota mbi kategorinë e konsumatorit, duke e ndarë në mënyrë të qartë dhe të dallueshme nëse bëhet fjalë për konsum familjar, jofamiljar, objekte kulti, furra buke, ujësjellës, pika karikimi për automjete elektrike, apo vetëprodhues të energjisë nga burime të rinovueshme.
Për kategorinë e vetëprodhuesve me panele fotovoltaike, fatura do të ndahet në dy seksione, energjia e prodhuar nga konsumatori dhe energjia e marrë nga rrjeti.
Po ashtu, për automjetet elektrike me stacione karikimi që kalojnë kapacitetin 11 kW, kërkohet përdorimi i matësve të veçantë dhe faturave të dedikuara për këtë kategori.
Kjo masë siguron një pasqyrë të qartë dhe të saktë të konsumit energjetik dhe tarifat përkatëse. Aktualisht, kategoria e konsumatorëve nuk pasqyrohet në faturë, gjë që mund të çonte në aplikimin e gabuar të çmimeve.
Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, identifikimi i kategorisë bëhet i detyrueshëm dhe moszbatimi i tij do të konsiderohet shkelje administrative.
Furnizuesit e energjisë do të kenë detyrimin të përditësojnë sistemet e faturimit dhe të raportojnë pranë ERE çdo tre muaj mbi kontratat, kapacitetet e vetëprodhimit dhe pikat e karikimit për automjetet elektrike.
Vendimi do të hyjë në fuqi për faturimet që nisin nga muaji dhjetor 2025.


