Emri i ri i Maqedonisë: a duhet të përfitojnë shqiptarët nga ndryshimi i Kushtetutës?

Marrëveshja mes Shkupit e Athinës për emrin e ri të Maqedonisë, ka hapur një temë tjetër interesante për shqiptarët.

Meqë kryeministri Zaev ka paralajmëruar se emri i ri i shtetit do të përdoret si brenda juridiksionit të Maqedonisë, ashtu edhe jashtë saj në marrëdhëniet diplomatike, kjo nënkupton se nevojitet ndryshim i Kushtetutës.

Dhe tani që Kushtetuta do të pësojë ndryshime,pas 17 viteve që nga lufta e vitit 2001, parashtrohet pyetja nëse shqiptarët do të përfitojnë nga kjo mundësi e artë në mënyrë që t’i artikulojnë kërkesat e tyre dhe t’i shndërrojnë si kategori kushtetuese.

Lidhur me këtë temë, për tesheshi flasin dy njohës të mirë të çështjeve në vend, politikologu Xhenis Sulimani dhe gazetari i RTVM, Naim Sinani.

Sipas politikologut Sulimani, partitë shqiptare duhet të shfrytëzojnë qasjen liberale të partisë maqedonase.

“Shqiptarët gjithmonë kanë mëtuar pozicion të barabartë me maqedonasit, thënë ndryshe objektiv i çëshjes shqiptare në Maqedoni është të qenurit shtetformues sipas Kushtetutës. Maqedonasit asnjeherë s’kanë treguar vullnet për këtë gjë, e as ne shqiptarët nuk kemi numra në Kuvend që të mundemi vet ta bëjmë një gjë të tillë. Qeveria aktuale është treguar më e hapur për debat rreth çështjeve ndëretnike. Për momentin nuk e di sa do të mund shqiptarët të kërkojnë hise në intervenimin kushtetues që duhet të pasojë si rezultat i marrëveshjes me Greqinë. Por, shqiptarët asnjëherë nuk duhet të stopojnë duke punuar për ngritjen e pozitës së shqiptarëve deri në barabarësi”, tha Sulimani.

Nga ana tjetër, gazetari dhe njëherit redaktor në RTVM, Naim Sinani është skeptik se shqiptarët do dijnë ta kapitalizojnë këtë mundësi të ndryshimit të Kushtetutës si rezultat i ndryshimit të emrit edhe për avancimin e pozitës sonë si popull shtetformues.

“Ndryshimet kushtetuese që i parasheh implementimi i marrëveshjes për emrin, teorikisht është e mundur të shfrytëzohen edhe për çështjet që kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve në vend, pasi do të nevojiten edhe votat e deputetëve shqiptar. Por, praktikisht kjo nuk pritet të ndodhë për shkak se në rradhë të parë nuk janë ngritur kërkesat e shqiptarëve në momentet kyçe, siç ishte rasti me marrëveshjen e Përzhinos.

Gjithçka nga partit politike ishte përqendruar te ligji për gjuhët, i cili edhe më tej nuk e bënë gjuhën shqipe të barabart me gjuhën maqedonase. Pikërisht statusi i barabartë juridiko-kushtetues i shqiptarëve me maqedonasit e me atë edhe i gjuhës shqipe me maqedonishten do të duhej të ishin kërkesat e partive shqiptare. Por na kujtohet të gjithve përgjigja e eurokomesarit Johanes Han, se nuk i intereson ligji për gjuhët. Një përgjigje e tillë nga zyrtarët evropian vjen pikërisht për shkak se nuk politikanët shqiptar në vend nuk kanë arritur të ndërkombëtarizojnë kërkesat e shqiptarëve për barazi”, deklaroi Naim Sinani.

Poashtu, Sinani kujton se viteve të fundit në skenën politike shqiptare kemi dëgjuar vetëm temën e integrimeve dhe garën se kush do të jetë në qeveri, prandaj, zërat për të shfrytëzuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese edhe për kërkesat e shqiptarëve i sheh si të vonuara.

“Kjo bëhet vështirë e realizueshme edhe kur e kemi parasysh se LSDM dhe kryeministri Zoran Zaev po përballen me presionin e implementimit të marrëveshjes për emrin, të cilën po e refuzon edhe opozita edhe presidenti”, përfundoi Sinani.

Kryeministri Zoran Zaev gjatë konferencës së djeshme për media informoi se në vjeshtën e ardhshme do të ketë referendum, dhe në rast se referendumi del i suksesshëm, qeveria greke me automatizëm do ta ratifikon marrëveshjen për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në mënyrë që referendumi të jetë i suksesshëm pasi që opozita maqedonase ka paralajmëruar bojkot, nuk përjashtohet mundësia që paralelisht me referendumin të mbahen edhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi