Arratisja nga burgu si në skenat e filmave aksion të Hollywood-it ka ndodhur në Shoshenk, ku kamerat e sigurisë filmuan në detaje këtë ngjarje në Indonezi, shkruan CNN Indonesia.
Për këtë arratisje Chai kishte punuar shumë, duke vjedhur vegla nga kuzhina dhe depot e burgut duke hapur një vrimë mbi gjysmë metri, përmes të cilës arriti deri në kanalizimin e burgut
Gjithçka ka ndodhur në momentin e “duhur” kur bëhej pranim-dorëzimi i detyrës mes ndërrimit të gardianëve. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur Chai del nga puseta e kanalizimit, ngritet në këmbë dhe drejtohet kah një rrugë e asfaltuar.
E zyrtarët e policisë së Indonezisë thonë se kjo arratisje spektakolare është planifikuar të paktën gjashtë muaj më herët. Chai njihet ndryshe si El Chapo kinez, i cili prej kohës është njëri nga të arratisurit më të kërkuar në Indonezi.
Chanpang është dënuar me dënim me vdekje në vitin 2017, pasi u shpall fajtor për kontrabandimin e 110 kilogramëve të drogës sintetike metamfetaminë.
Megjithatë policët theksojnë se kjo nuk është hera e parë që Chanpang është arratisur nga burgu. Derisa priste verdiktin, në tualet me një shufër hekuri kishte hapur një vrimë nga e cila kishte ikur, duke marrë me vete edhe disa të burgosur tjerë.
Por, ata janë gjetur tri ditë pasi janë arratisur dhe janë kthyer nëpër qelitë e tyre.