Eksportet drejt Zvicrës, 2.7 miliardë lekë gjatë 11-mujorit 2022

Eksportet e produkteve shqiptare, kryesisht prodhime bujqësore, materiale ndërtimi, minerale dhe metale, po e rrisin praninë e tyre në tregjet zvicerane.

Eksportet drejt Zvicrës shënuan rritje me mbi 400 milionë lekë përgjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2022. Por ndryshe nga eksportet, importet shënuan rënie.

Sipas raportit të INSTAT-it, eksportet drejt Zvicrës në vlerë arritën 2.7 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërkohë, importet në vlerë ranë në 7.2 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë që ishin në 11-mujorin e vitit 2021.

Zvicra është një nga 10 vendet më të rëndësishme për tregun shqiptar. Disa kompani të mëdha zvicerane janë të pranishme në Shqipëri, ndërkohë që një numër në rritje i ndërmarrjeve të vogla e të mesme zvicerane po zbulojnë tregun shqiptar.

Llogaritet që në Shqipëri veprojnë afërsisht 65 kompani zvicerane, ndërsa 35 kompani shqiptare kryejnë aktivitet të rregullt tregtar me Zvicrën. Kompani të tjera zvicerane janë pjesëmarrëse në tregun energjetik dhe në fushën e zhvillimit të turizmit.

Gjatë periudhës 2022-2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; shëndetësi.

Angazhimi financiar i parashikuar për këtë periudhë është 105 milionë franga zvicerane në formë grantesh. Kjo mbështetje do të mundësohet përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri.

Në vitin 2015 në Tiranë u krijua Dhoma e Tregtisë Zvicër-Shqipëri, ndërsa në vitin 2021 në Gjenevë u krijua Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Zvicër, të cilat shërbejnë si platforma të rëndësishme në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi