Ndërsa Britania e Madhe po përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian (BE) në fund të janarit dhe kur pritet që së shpejti të fillojnë bisedimet rreth tregtisë, besimi në ekonominë britanike është sjellë në pikëpyetje pas turbulencave trevjeçare për shkak të Brexitit.
– Fund i vështirë i vitit 2019
Dhoma e Tregtisë Britanike (BCC) kreu një hulumtim të mijëra bizneseve në fund të vitit 2019 për të fituar një pasqyrë për besimin e biznesit. Pavendosshmëria dhe zvarritja rreth Brexitit ka bërë punën e saj.
Ata gjetën që planet e investimeve nga prodhuesit ishin në pikën e tyre më të ulët në tetë vitet e fundit, ndërsa eksporti dhe porositë e brendshme nga fabrikat ishin negative në dy tremujorë radhazi për herë të parë në dhjetë vitet e fundit.
“Ekonomia e Britnaisë filloi të çalojë në tremujorin e fundit të vitit 2019. Tremujori i katërt u karakterizua me një ngadalësim në sektorin dominues të shërbimeve me dobësimin e të gjithë treguesve kryesorë në tremujor, në mes të shpenzimeve familjare në rënie dhe presionit të ashpër të shpenzimeve”, tha BCC.
Grupi parashikon një rritje vetëm prej 1 për qind të ekonomisë në vitin 2020.
“Megjithë disa përmirësime, treguesit në sektorin e prodhimit mbeten shumë të dobëta nga standardet historike. Një sektor shërbimesh falimentues së bashku me aktivitetin prodhues pa energji tregojnë për një rezultat pesimist për rritjen e PBB-së në Britani në tremujorin e katërt të vitit 2019”, shtoi BCC.
Shërbimet përbëjnë 80 për qind të ekonomisë britanike.
Shpenzimet e përgjithshme të shitjes me pakicë u ulën 0,9 përqind në nëntor dhe dhjetor, kurse 2019 ishte viti i parë që nga 1995 me një rënie të plotë të shitjeve, sipas Konsorciumit Britanik për Shitje me pakicë (BRC).
“Besimi i opinionit në negociatat tregtare të Britanisë do të ketë një ndikim të madh në shpenzimet gjatë vitit të ardhshëm”, tha shefi ekzekutiv i BRC Brian Dickinson.
Mediat lokale gjithashtu raportuan se katër zinxhirët e supermarketeve të mëdha britanike përjetuan vështirësi gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe humbën shitjet, kurse sektori pësoi rritjen më të ngadaltë të shitjeve në katër vjet – vetëm 0,2 për qind.
Një pjesë e saj ishte për shkak të pasigurisë së Brexitit, por edhe zgjerimit të vazhdueshëm të zinxhirëve të supermarketeve me çmime të ulëta Lidl dhe Aldi.
Vitin e kaluar gjithashtu pati rënie të shitjeve të makinave në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 2013, duke rënë me 2 përqind. Pasiguria e Brexitit luajti rolin e saj, por edhe ashpërsimi i rregullave për automjetet dizel.
Bloomberg raportoi se sipas llogaritjes së tyre, Brexit tashmë ka shkaktuar humbje të ekonomisë prej 130 miliardë paund (170 miliardë dollarë), me një shtesë prej 70 miliardë paund të vlerësuara deri në fund të vitit.
Faqja e lajmeve raportoi se ekonomia britanike tani është 3 për qind më e ulët se sikur të mos ishte votuar Brexit, dhe se ajo po ngec pas partnerëve të saj të G7-tës.
Disa raporte të mediave lokale janë pozitive. “Daily Express”, e cila është pro Brexitit, në mënyrë të vazhdueshme publikon raportime për optimizëm në lidhje me të ardhmen e ekonomisë britanike.
Pas shifrave rekorde turistike në gusht dhe shtator, gazeta raportoi një rritje të pritur prej 6,6 përqind në turizëm në vitin 2020, duke e lidhur rritjen e parashikuar me përfitimet pozitive të Brexitit.
Tabloidi pranoi rënien e shitjeve të makinave të reja, por raportoi: “BREXIT do të shkaktojë një rritje në tregun e makinave në Britani pasi një në gjashtë veta pranon se fundi i pasigurisë do të rrisë besimin e tyre për të blerë automjete pas largimit të Britanisë më 31 Janar”.
– Fillimi i vështirë i vitit 2020
Më 9 janar, kryenegociatori i BE-së për Brexitin, Michel Barnier, tha: “Askush nuk duhet të dyshojë në përcaktimin e komisionit dhe vendosmërinë time, se do të vazhdoj të mbroj interesat e qytetarëve dhe bizneseve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe të mbroj integritetin e tregut të vetëm”.
Ai i referohej politikës së ndihmës shtetërore të BE-së dhe respektimin e standardeve të saj rregullatore për të siguruar një “fushë korrekte të lojës”.
Kryeministri i Britnasië, Boris Johnson, ka thënë se dëshiron një “marrëveshje të gjerë të tregtisë së lirë që përfshin mallrat dhe shërbimet, dhe bashkëpunimin në fusha të tjera”, por pa përafrim rregullator me BE-në, dhe ai këtë e dëshiron deri në fund të vitit 2020. Ai ka insistuar se nuk do të ketë bisedime shtesë.
“Niveli i qasjes për produktet britanike në tregun tonë do të jetë në përpjesëtim me nivelin e ambicies së marrëveshjes së përbashkët për këto rregulla dhe standarde”, ka theksuar Barnier, duke përcaktuar linjat e betejës për vitin e ardhshëm.
Më 8 janar, presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli në Londër përpara një takimi me Johnson-in dhe tha: “Ne do të shkojmë përpara aq sa mundemi, por e vërteta është se partneriteti ynë nuk mund dhe nuk do të jetë i njëjtë si më parë dhe nuk mund të jetë aq afër si më parë, sepse pas çdo zgjedhjeje vijnë pasoja dhe me çdo vendim vjen një kompromis”.
“Sa më shumë divergjencë, aq më i largët do të jetë partneriteti”, shtoi ajo.
Von der Leyen gjithashtu tha se afati i Johnson-it ishte “shumë i ngushtë” dhe se “nuk mund të presësh që të biesh dakord për çdo aspekt të partneritetit tonë të ri gjatë vitit 2020”.
Kjo tregon se BE pret një zgjatje të bisedimeve ose një marrëveshje më të kufizuar në fushëveprim deri në fund të vitit.
Pas një fundi të vështirë të vitit 2019, ekonominë e pret një rrugë edhe më e vështirë në vitin 2020.