E vërteta për veriun, a ishte dhuratë nga Rankoviç?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të mbrojtur idenë e tij, për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, po manipulon publikisht duke thënë se Veriu i Kosovës është dhuratë e Aleksandar Rankoviç, duke krijuar kështu një opinion falso se dikur kjo pjesë është këmbyer me Luginën e Preshevës, për shkak të kësaj rrethane ka mbetur në Serbi.

Ky “këmbim” për të cilin po flet edhe Lutif Haziri, në fakt s’ka ndodhur asnjëherë.

Debati për ndryshimin e kufijve, po mbrohet me të pavërteta nga avokuesit e këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka lënë të kuptohet se pjesa veriore i ishte bashkuar Kosovës në kohën e Ministrit të Brendshëm Jugosllav Aleksandar Rankoviç duke i akuzuar të gjithë ata që pranojnë “dhurata të antishqiptarit famëkeq”.

Pra, baza mbi të cilën presidenti po e mbron ndryshimin e kufijve është se këmbimet, sipas tij, janë bërë atëkohë tri komuna me tri komuna: Medvegja, Bujanovci dhe Presheva i janë marrë Kosovës dhe i janë dhënë Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Por, sipas librit “Studimet demografike” të akademikut Hivzi Islami, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, sipas librit të akademikut Islami, kanë qenë si toponime, vazhdimisht në territorin e Kosovës.

Libri shpjegon se ajo çfarë ka ndodhur në vitin 1959 është se 198 kilometra katror ose ndryshe 40 fshatra nga Rashka kanë kaluar në Kosovë. Sipas akademikut, Medvegja, Bujanovci e Presheva asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e territorit të Kosovës që më pas të mund të hiqen.

Gjithashtu, as tri komunat në veri të Mitrovicës nuk iu kanë shtuar territorit të Kosovës, ato kanë qenë pjesë e territorit.

Në emisionin “Pressing” për këtë çështje ka folur edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

Ai ka thënë se disa vendbanime, janë bashkuar me Leposaviq, kështu ka ndodhur vetëm riorganizim i komunave dhe fshatrave brenda territorit të Kosovës.

“Ndryshimi i vetëm që ka ndodhë ka qenë që Leshaku bashkë me 20 vendbanime janë riorganizuar brenda territorit të Kosovës dhe jo shkëmbim”, ka thënë Ilir Deda.

“As nuk është hequr Medvegja Bujanovci e Presheva prej Kosovës, e as nuk ju kanë shtu Kosovës”, ka thënë Deda.

Mirëpo, deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thotë se ideja e korrigjimit të kufijve fillimisht ishte e tij, të martën, në emisionin “Pressing” ka thënë se ndryshimet territoriale kanë ndodhur në vitet e 50’ta duke e lënë të mjegullt se çfarë është këmbyer.

“Në vitet e 50’ta reforma administrative e RSFJ’së, nga ajo agrare në reformë administrative, është shkaktu ndryshimi demografik i planifikum nga ish RSFJ’ja ku Serbia ka qenë e fuqishme. Prej vitit 53 deri në vitin 56”, ka thënë Haziri.

Ai vazhdimisht ka mbrojtur idenë se ndryshimet territoriale kanë ndodhur në të njëjtën kohë, si në Mitrovicë, siç ka thënë se iu është bashkuar Leposaviqi, ashtu edhe në Bujanovc, kur thotë se atij iu janë bashkuar Presheva dhe Medvegja.

Ndërsa, Presidenti Thaçi në një status, pati shkruar se Aleksandër Rankoviç ia ka dhuruar Kosovës territorin, në këmbim të marrjes së një pjese. E tani për po këtë pjesë “të marrë” nga Serbia, Thaçi po e mbron idenë e tij për t’i shkëmby territoret me Serbinë.

“Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane”, pati shkruar Presidenti Thaçi./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi