Koreja e Veriut kryen testime të reja të raketave balistike

Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa të tjera balistike më 14 janar.

Ky është testimi i tretë i raketave balistike që ky shtet ka bërë brenda dy javësh. Njoftimi për testimet e reja erdhi pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Phenianit.

Koreja e Jugut tha se ka detektuar ato që tha se dukeshin si dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Sipas Koresë së Jugut, raketat u lëshuan në lindje nga Provinca Pyong, që gjendet në bregun perëndimor të Koresë së Veriut.

Ndërkaq, garda bregdetare e Japonisë raportoi se Veriu lëshoi atë që duhej se ishte raketë balistike. Raketat e lëshuara ranë në det jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë, raportoi media NHK, duke e cituar një zyrtar të paidentifikuar nga Ministrja e Mbrojtjes së Japonisë.

Koreja e Veriut ka argumentuar se testimi i raketave është e drejtë legjitime për vetëmbrojtje dhe ka thënë se SHBA-ja me qëllim po e përshkallëzon situatën duke vendosur sanksione të reja, raportoi media shtetërore më 14 janar, duke cituar Ministrinë e Jashtme.

Më 12 janar, SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut për shkak të testimeve të fundit të raketave balistike. Uashingtoni i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të vendosë sanksione të reja, pasi tha se testimet e fundit shkelin rezolutat e këtij Këshilli.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk ka qëllime armiqësore ndaj Koresë së Veriut dhe se është e gatshme të angazhohet në bisedime pa parakushte, por tha se testimet ishin “thellësisht destabilizuese”./REL

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi