Duka: Me 3 stadiumet e reja, vendi më i mirë në rajon për infrastrukturën sportive

Është zhvilluar sot Konkursi Ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri të Durrësit, ku garojnë për finalen 3 studiot prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë).

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili është gjithashtu pjesë e jurisë që do të përzgjedhë edhe projektin fitues.

Në fjalën e tij përshëndetëse Duka theksoi se qyteti i Durrësit e meriton një investim të tillë, që do të ketë një impakt të madh në jetën ekonomike e sportive të qytetit.

Sipas tij, të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave mes Federatës Shqiptare së Futbollit dhe qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa shprehu bindjen se me investimet e reja Shqipëria do të bëhet vendi me infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.

Gjithashtu, Presidenti Duka bëri edhe një herë thirrje për të mbështetur nismën e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja stërvitore që do të nxisin edhe më shumë zhvillimin e futbollit në vend.

“Të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave, të financave, të energjisë, të vullnetit, të dëshirës dhe dashurisë për futbollin, i Federatës së Futbollit, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Me këtë lloj bashkëpunimi jam shumë i sigurt që do bëjmë shumë gjëra të tjera, shumë më të mira për futbollin”, tha ai.

Ai theksoi se, ne plotësojmë me këto stadiume shumë mirë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur, kushtet për mediet e futbollistët etj., por kemi më shumë nevojë për terrene sportive (stërvitje).

“Uroj që projektet që ne do zgjedhim sot mos t’i cenojnë fushat që ne sapo kemi investuar me kryetaren e bashkisë në Durrës dhe e ftoj kryetaren që të bëjmë edhe më shumë fusha të tjera, jo vetëm sepse do t’i shërbejnë fëmijëve në Durrës, por edhe turizmit në Durrës. Nëpërmjet fushave të futbollit mund të afrojmë shumë ekipe në Durrës dhe të plotësojmë ato ditët e dimrit që ne i kemi thuajse bosh”, përfundoi Duka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi