“Do kërkoj kompensim të luftës nga Serbia”, çfarë premtoi Albin Kurti para se të fitonte zgjedhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, arriti të marrë besimin e qytetarëve ditën e djeshme në zgjedhjet parlamentare, ndërsa në një intervistë të dhënë për “Der Standard” pak ditë më parë, ai premtoi se do të kërkojë kompensim të luftës dhe të dëmeve që shteti i Serbisë i ka shkaktuar Kosovës.

“Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive”, ka deklaruar Kurti.

Ai po ashtu shtoi se Serbia i detyrohet Kosovës edhe për kompensim të luftës, një fond pensioni dhe 1.200 artefakte. I pyetur se pse Prishtina duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, Kurti u përgjigj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.

Duke folur për veten, ai theksoi se është shqiptar nga nacionaliteti dhe që Shqipëria e Kosova janë dy shtete, por një kombësi.  “Domethënë si dy Gjermani, por jo si Gjermania dhe Austria”, u shpreh ai. I pyetur se a është ende favorizues i bashkimit të Shqipërisë së Madhe, ai tha se mendon që do të duhej që qytetarët të votojnë për të, nëse do të kishte referendum, shkruan RTK.

“Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore  dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt”, përfundoi Kurti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi