Dilemat për dialogun pa “vija të kuqe”

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që “nuk duhet të ketë vija të kuqe” lidhur me çështjet që mund të parashtrohen në fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, ka rihapur debatet lidhur me qasjen që duhet ta ketë Kosova ndaj dialogut.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, thonë se etapa finale e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jetë delikate dhe komplekse, ndërkaq që çështjen e “vijave të kuqe” në dialog, e shohin nga kënde të ndryshme.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që për shkak të kompleksitetit që do ta ketë finalja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, faktorët ndërkombëtarë vendimmarrës, nuk kanë predispozita që të flasin për ‘vija të kuqe’, për shkak se ato do të pamundësonin dialogun dhe krijimin e një hapësire për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Në këtë kontekst, sipas tij, duhet parë edhe qëndrimin e SHBA-së për të mos pasur vija të kuqe në negociata.

Por, ndryshe mendon Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK). Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin që shqetësimi në Kosovë ekziston kryesisht për territorin e saj, duke theksuar se përfaqësuesit institucional, megjithatë çështjen e kufirit të vendit, duhet ta kenë “vijë të kuqe’ në negociata me Serbinë.

Mundësinë e mosekzistimit të “vijave të kuqe” në negociata me Serbinë, me herët e kishte theksuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Më 28 qershor të vitit 2018, ai pati thënë se “nuk do të ketë vija të kuqe sikurse që kishte nga Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës”.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ekipi negociues në dialog me Serbinë dhe partitë opozitare janë shprehur kundër çdo negocimi që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, në kufijtë ekzistues.

Ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, u ka thënë medieve serbe që vendi i tij “nuk i tërheq ‘vijat e kuqe’, nuk përcakton se çfarë do të ndodhë, por në qoftë se ajo për të cilën do të pajtoheshin palët e stabilizon rajonin, atëherë me siguri që do ta ketë mbështetjen” amerikane. Ambasadori Scott ka theksuar se presin që palët të arrijnë vet marrëveshje nën ombrellën e Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e SHBA-së kanë theksuar se presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila, siç kanë thënë, do të përfundojë me njohje reciproke.

Siç kanë theksuar, SHBA-ja nuk është iniciatore e asnjë ideje për ndryshim të kufijve.

Megjithatë, sipas tyre, jo çdo marrëveshje do të ketë mbështetjen e SHBA-së, duke rikujtuar se sidomos shkëmbimi i territoreve si opsion, bart edhe pasoja politike, ekonomike, por edhe ato të sigurisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi