13.5 C
Tirana

Deklaratat për Ballukun nxisin reagimin e gjyqtarëve: “Retorikë që na shqetëson”

Më datë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë në një deklaratë zyrtare pas komenteve të kryeministrit Edi Rama në lidhje me pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor”, thuhet në reagimin e saj.

Shoqata thekson se nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor fshihet në të vërtetë një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë. Sipas shoqatës, mesazhe të tilla synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor.

“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit”, thuhet në reagim.

Shoqata thekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

“Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë”, deklaroi Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.

Më tej, theksohet se gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas shoqatës, qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i shumicës së publikut, por zbatimi i vullnetit të sovranit i shprehur në këto akte. Në fund shoqata fton zyrtarët e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohen nga sjelljet që e cënojnë atë.

“Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit”, deklaroi Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kryetar i së cilës është gjyqtari i Gjykatës së Posaçme.

Kujtojmë se më herët kryeministri Rama ka deklaruar se pezullimi i zv/kryeministres është absurd dhe i paprecedentë në asnjë vend tjetër. Ai e ka vlerësuar si të rrezikshëm për cenimin e kufirit që ndan pushtetet e pavarura nga njëra tjetrën.

“Pezullimi i një ministri është në vetvete absurd si koncept, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh thjesht një individ. një funksionar publik të cilitdo nivel. Por do të thotë të pezullosh një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse në një a më shumë. Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra: me dorëheqje, nga Kryeministri, apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit. Tjetër nuk ka.

Prokuroritë e gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrsesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë”, tha Rama.

Ai i ka vijuar komunikimet publike në lidhje me këtë çështje duke deklaruar se vendimi për pezullimin e zv/kryeministres ka sjellë pengesa në disa projekte që kërkojnë firmën e saj.

Sa i përket ankimimit që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese, kreu i qeverisë thekson se nuk e ka bërë për presion e as për betejë politike, por theksoi se është një betejë për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve.

“Për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykatës, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike”, tha Rama. 

Kujtojmë se Balluku është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme pas ngritjes së akuzave për shkelje të barazisë në tendera. Qeveria ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e saj. Për këtë çështje, më 12 dhjetor do të zhvillohet mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar kërkesën.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme, nga ana tjetër, lidhur me vendimin e pezullimit nga detyra të Ballukut, me argumentin se ky vendim cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që Kushtetuta ka caktuar.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Pas tërmetit 7.5 ballësh, raportohen 30 të plagosur në Japoni. Panik dhe evakuime

Të paktën 30 persona kanë mbetur të plagosur pasi...

“Gatishmëri e shtuar për sezonin e festave”, ministrja Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vizitoi...

Kalon për gjykim çështja e ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberit

Kalon për gjykim çështja e Ervis Berberit dhe të...

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Apeli lë në burg xhaxhain e autorit

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë...