De Gea “injoron” kryeministrin e ri spanjoll

I përfshirë dy vite më parë në akuza për agresion seksual, portieri spanjoll i Manchester United, David de Gea u kritikua ashpër nga ish-kreu i opozitës spanjolle asokohe.

Tashmë që Pedro Sanchez merr frerët e ekzekutivit spanjoll, rol prej të cilit është i detyruar moralisht të përshëndesë ekipin kombëtar përpara një aventure tejet të rëndësishme, si Botërori “Rusi 2018”, portieri De Gea duket se ka realizuar dëshirën e tij për hakmarrje.

Portieri i “djajve të kuq” ka mbajtur duart në xhep, edhe pse shokët e tij të skuadrës ishin rreshtuar dhe po duartrokisnin kryeministrin e ri të Spanjës. Një veprim ky që mediet spanjolle e kanë mbiquajtur “hakmarrja e De Geas”.

Udhëheqësi socialist, Pedro Sanchez kritikoi portierin dy vite më parë, kur ai u implikua në akuza seksuale, akuza të cilat ai i kishte mohuar gjithsesi. Asokohe, Sanchez thoshte në një intervistë se “nuk ndihej rehat me De Gean si portier të kombëtares spanjolle”.

Pamjet e marra nga vizita e tij gjatë së martës në “Las Rozas”, bazën në Madrid ku është grumbulluar skuadra e Spanjës për fazën përgatitore përpara Kupës së Botës, treguan qartësisht të gjithë të tjerët duke duartrokitur politikanin, ndërsa De Gea qëndronte serioz dhe me duart në xhepa.

Sanchez, i cili zëvendësoi Mariano Rajoyn në postin e kryeministrit pasi fitoi përmes votimit mocionin e mosbesimit të propozuar prej tij kundër ish-liderit konservator, thjesht u uroi futbollistëve fat dhe i nxiti ata të ktheheshin nga Rusia si fitimtarë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi