
Dhuna në futboll vazhdon të jetë prezent në vendin tonë. Takimi Shkumbini-Dinamo u bë objekt i një tjetër akti vandal ndaj gjyqtarëve, që të sillte në kujtesë atë që ndodhi sezonin e shkuar në Kamëz.
Në përfundimit të sfidës, gjyqtari Sokol Bebja ra pre e një agresioni të rëndë të disa tifozëve vendës, që të pakënaqur me vendimet e tij, kaluan në ekstrem duke e dhunuar atë.
Siç shihet në video, agresori ka hyrë në fushë dhe e ka goditur gjyqtarin e takimit Bebja.
Në lidhje më dhunën e ushtruar ndaj arbitrit të takimit, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në reagimin e FSHF thuhet se agresori / agresorët duhet të dënohen, madje edhe me burg pë këtë rast.
Reagimi i FSHF:
Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.
FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.
FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.