Conte: Ndaj Barcelonës na duhet një paraqitje e përkryer

Trajneri i londinezëve të Chelsea-t, Antonio Conte, para përballjes së sontme kundër Barcelonës të vlefshme për Ligën e Kampionëve, tha se ekipi i tij e ka patjetër të luajë një ndeshje të përkryer, në mënyrë që të vazhdojë garat.

Në periudhën e fundit, londinezëve nuk u shkuan punët edhe aq mirë. Në 12 ndeshjet e fundit të luajtura, Chelsea ka shënuar vetëm katër fitore, për çka Conte, siç pranoi edhe vet, nuk ka bërë gjum të qetë, sidomos jo para ndeshjes kundër Barcelonës. Krahas kësaj, vetëm pesë ditë më vonë, e pret një përballje tjetër gjigante kundër Manchester Unitedit në Old Trafford.

“Barcelona ka njërin nga ekipet më të forta në botë. Ndoshta dhe mund të llogariten favoritë për Ligën e Kampionëve. Ne nga ana jonë, duhet të jemi të lumtur sepse kemi një rast të mirë të luajmë ndeshje të madhe kundër një rivali të fortë, për të testuar nivelin tonë. Duhet të shfaqim një lojë të përkryer”, tha Conte për të shtuar.

“Kur keni një përballje të tillë, ju duhet një përgatitje shumë e mirë. Gjithçka duhet të jetë e planifikuar në detajet më të vogla”, tha ai.

Në përballjen e tyre të fundit në vitin 2012, Chelsea eliminoi Barcelonën në gjysëmfinale të Ligës së Kampionëve, pas çka dhe fitoi trofeun e madh, duke e mposhtur Bayernin e Mynihut në finale. Edhe atëherë, njëjtë sikur tani, aduti kryesor i spanjollëve ishte Lionel Messi.

“Po flasim për futbollistin më të mirë në botë. Messi ka aftësi të zgjidh situata nga më të ndryshmet, të krijojë raste kur nuk ka mundësi për të shënuar gol. Kjo bën që ai të jetë një lojtar fantastik”, tha Conte.

Deri më sot, Chelsea dhe Barcelona kanë 12 përballje në Ligën e kampionëve, në të cilat londinezët kanë fituar katër herë, tre ndeshje janë fituar nga Barcelona dhe pesë të tjera kanë përfunduar me një barazim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi