Çmimi global i naftës bie deri në 10%

Çmimet e naftës përjetuan një luhatje në një treg shumë të paqëndrueshëm duke shënuar rënie prej rreth 10 për qind në përfundim të kësaj jave, me frikën se kriza globale bankare do të rëndonte perspektivat e kërkesës.

Standardi i naftës së papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 74,73 dollarë për fuçi në orët e pasdites të premten, duke shënuar rënie prej 9,52 për qind nga seanca e së hënës që u hap me 82,60 dollarë për fuçi.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 68,69 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë të premten, duke shënuar rënie me 10,32 për qind në krahasim me çmimin e hapjes prej 76,60 dollarë për fuçi të hënën.

Çmimet shënuan nivelin e tyre më të ulët të 15 muajve, ku Brent u tregtua midis 71,67 dhe 83,48 dollarë për fuçi ndërsa WTI midis 65,65 dhe 77,47 dollarë për fuçi. “Nxitësit e rënies së fundit të çmimeve janë rreziku i problemeve financiare dhe në një farë mase pozicionimi i tregtarëve”, tha për Anadolu, Bob McNally, themeluesi dhe presidenti i “Rapidan Energy” me bazë në SHBA.

Të dy standardet e nisën javën me rënie për shkak të dobësimit të dollarit pas kolapsit të papritur të Silicon Valley Bank dhe Signature Bank. Pavarësisht përpjekjeve të administratës amerikane për të garantuar sigurinë e aseteve të depozituesve, çmimet vazhduan rënien e tyre gjatë javës për shkak të shqetësimit të investitorëve për shtrirjen e efektit të krizës në sektorin bankar të SHBA-së.

Duke intensifikuar frikën nga kjo dhe duke vënë presion të mëtejshëm të kërkesës mbi çmimet, kompania bankare me bazë në Cyrih, Credit Suisse njoftoi se do të merrte hua deri në 50 miliardë franga zvicerane (53.68 miliardë dollarë) nga Banka Kombëtare Zvicerane pasi aksionet e saj ranë me gati 30 për qind.

Gjithashtu, vendimi i Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normën e saj bazë me 50 pikë bazë në 3.5 për qind të enjten ushtroi presion shtesë në rënien e çmimeve, duke rritur pritshmëritë për një lëvizje të ngjashme në SHBA. Megjithatë, çmimet pësuan disa lëvizje në rritje me pritjet për rimëkëmbjen ekonomike në Kinë, vendi më i madh importues i naftës në botë.

Në raportin e saj mujor të naftës, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës tha se rihapja e Kinës pas heqjes së politikës strikte zero-COVID-19, pritet të shtojë një vrull të konsiderueshëm në rritjen ekonomike globale.

Gjithashtu rritja më e madhe sesa pritej në stoqet e naftës në SHBA shtoi edhe më shumë presionin mbi rënien e çmimit të naftës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi