16.5 C
Tirana

Çfarë është Obeziteti?

Më datë:

Dr. Entela Puca, mjeke endokrinologe pranë Spitalit Amerikan 2, na jep më shumë informacion për atë që quhet sëmundja e shekullit, obezitetin.

Obeziteti tashmë prej disa vitesh përkufizohet si një sëmundje kronike, që karakterizohet nga shtimi i tepërt i masës dhjamore me pasoja në shëndetin e individit. Prevalenca e obezitetit është trefishuar në shumë vende të Evropës dhe në botë që prej vitit 1980. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik për këtë shekull. Prevalenca e obezitetit në Shqipëri është 21.7 % në 2016 sipas të dhënave nga CIA krahasuar me 18.1 % që ishte në 2014. Shqipëria renditet në vendin e 75 nga 180 vende të botës. Aktualisht në botë janë rreth 500 milion njerëz me obezitet.

Situata paraqitet alarmante tek fëmijët dhe adoleshentët. Epidemia është shtuar si pasojë e ndryshimeve sociale, ekonomike, kulturore dhe fizike. Obeziteti nuk është më një sëmundje e “shoqërive të pasura”; por po bëhet dominante dhe në vendet në zhvillim dhe ato në tranzicion.

Prishja e balancës energjitike e shkaktuar nga një reduktim dramatik i aktivitetit fizik dhe ndryshimit të modeleve ushqimore, duke përfshirë rritjen konsumimit të ushqimeve dhe pijeve të varfra me lëndë ushqyese, por të dendura me energji (që përmbajnë porcione të larta të yndyrnave te ngopura, kripërave dhe sheqernave) në kombinim me konsumin e pamjaftueshëm të frutave dhe perimeve, ka çuar në një rritje të numrit të individëve me mbipeshë dhe obezitet.

Sipas të dhënave të OBSH-së rreth dy të tretat e popullsisë adulte në shumicën e vendeve Europiane nuk janë mjaftueshëm fizikisht aktiv për të siguruar dhe mbajtur një mirëqënie shëndetësore dhe 42 % nuk kryejnë asnjëherë një aktivitet fizik dhe vetëm në disa vende arrihet konsumi i frutave dhe perimeve në nivelet e rekomanduara. Vetëm predispozita gjenetike nuk mund të shpjegojë epideminë e obezitetit pa ndryshime të tilla në mjedisin social, ekonomik, kulturor dhe fizik.

Çfarë mund të bëhet:

Veprimi duhet të synojë të sigurojë një ekuilibër optimal të energjisë duke stimuluar një dietë të shëndetshme dhe aktivitet fizik. Një rëndësi e veçantë i bashkëngjitet mjediseve të tilla si shtëpia dhe familjet, komunitetet, kopshtet, shkollat, vendet e punës, mjetet e transportit, mjedisin urban, strehimin, shëndetësi dhe shërbime sociale, si dhe lehtësira për kohën e lirë.
Klasifikimi i Obezitetit: Për vlerësimin e shkallës së obezitetit përdoret indeksi i masës trupore BMI. Vlerat normale janë 18.8-24.9. Të gjithë adultët çdo vit duhet të masin BMI. Në rast se vlera e BMI-së është ≥25 kg/m2 atëherë individi duhet t’i nështrohet vlerësimit fillestar për mbipeshë ose obezitet.

Obeziteti është një portë për shumë sëmundje të tjera HTA, prediabet, diabet, Dislipidemi, sëmundjet e zemrës, infarkti i trurit, patologji malinje, apnea e gjumit, sëmundjet reumatizmale, artritet, infertiliteti, sindroma e ovarit polikistik, refluksi gastro-ezofageal, astma, depresioni, inkontinienca urinare psh; mbipesha dhe obeziteti janë përgjegjës për rreth 80% të rasteve të diabetit të tipit 2, 35% të sëmundjeve ishemike të zemrës dhe 55% të rasteve me HTA.

Rreziku i zhvillimit të më shumë se një prej këtyre komorbiditeteve rritet ndjeshëm kur pesha e trupit është ngritur (BMI mbi 35 kg / m2).

Trajtimi dhe parandalimi:

Trajtimi i obezitetit kërkon një kujdes afatgjatë. Komunikimi dhe motivimi janë çelësi për çdo marrëdhënie produktive ndërmjet mjekut dhe pacientit, kjo është veçanërisht e rëndësishme në pacientët obezë. Pacientët obezë nuk duhet të stigmatizohen.

Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Connecticut mjekët konfirmojnë se 54% e adultëve me obezitet janë ngacmuar në vendin e punës. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për fëmijët dhe adoleshentët, të cilët shpesh stigmatizohen në shkollë, duke u shkaktuar një sërë vuajtesh.

Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm, një faktor kyç në parandalimin e komplikacioneve, pasi një pacient obez por aktiv ka një rrezik më të ulët të vdekshmërisë së parakohshme kur krahasohet me një pacient me peshë normale por me një jetë sedentare. Nëse një adult nuk është fizikisht aktiv, nuk është tepër vonë për të filluar një aktivitet të rregullt fizik dhe për të zvogëluar jetën sedentare, psh; të përfshiheni në një aktivitet fizik që ju pëlqen, të jesh sa më aktiv me anëtarët e familjes – në shtëpi apo jashtë saj, të reduktojmë zakonet e një jete sedentare, si shikimi i TV apo qëndrimi ulur para komjuterit duke i zëvendësuar me lojra, ecja në këmbë tek dyqanet lokale. Të përdoren shkallët në vend të ashensorit, zbritja nga autobusi një stacion para destinacionit dhe pjesën tjetër të rrugës ta kryejmë në këmbë. Të kryesh një aktivitet fizik me intesitet të moderuar të paktën 150 min në javë e ndarë në 3-5 seanca ndërsa fëmijët e moshës shkollore 5-16 vjeç duhet të jenë aktiv të paktën 60 min çdo ditë. Nëse është e mundur për më shumë fitness rekomandohet vrapi, gjimnastika, noti, ose të shkosh në punë me biçikletë sesa me makinë.

5 pikat kyçe për një dietë të shëndetshme:

1. Ushqyerja ekskluzivisht vetëm me qumësht gjiri për foshnjat deri në muajin e 6-të pas lindjes, pasi është parë që në jetën adulte fëmijët që janë ushqyer me qumësht gjiri, kanë më pak gjasa të bëhen me mbipeshë ose obezë, ose të vuajnë nga sëmundje të tilla siç janë diabeti, sëmundjet e zemrës.
2. Konsumoni një shumëllojshmëri të ushqimeve. Hani një kombinim të ushqimeve të ndryshme, duke përfshirë ushqimet kryesore (p.sh. drithërat si gruri, elbi, thekra, misri ose orizi, ose zhardhokët, rrënjët e niseshtesë si patate, patat), bishtajoret (p.sh. thjerrëzat, fasulet), fruta dhe ushqime nga burimet e kafshëve (p.sh. mishi, peshku, vezët dhe qumështi).
3. Konsumoni shumë perime dhe fruta. Perimet dhe frutat janë burime të rëndësishme të vitaminave, kripërave mineraleve, fibrave dietike, proteinave bimore dhe antioksidantëve. Njerëzit dietat e të cilëve janë të pasura me perime dhe fruta kanë një risk të ulët të obezitetit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, diabetit dhe disa llojeve të caktuara të kancerit.
4. Konsumoni sasi të moderuara të yndyrave dhe vajrave pasi ato janë burime të koncentruar të energjisë, dhe konsumimi në sasi të shtuar dhe sidomos llojin e gabuara të yndyrës, mund të jenë të dëmshme për shëndetin.

5. Konsumoni sa më pak kripë dhe sheqer.

Trajtimi medikamenetoz. Medikamentet për mbipeshën dhe obezitetin duhet të përdoren vetëm si shtesë e terapisë për ndryshimin e stilit të jetesës (regjim ushqimor dhe aktivitet fizik) dhe jo vetëm.

Trajtimi kirurgjikal: Kirurgjia bariartrike rekomandohet në pacientët me BMI > 40 dhe në pacientët me BMI > 35 dhe kanë një ose më shumë komplikacione severe të lidhura me obezitetin.
Parandalimi: Eshtë më mirë të parandalosh sesa të trajtosh. Parandalimi parësor: të parandalosh shfaqjen e mbipeshës ose obezitetit. Parandalimi dytësor: të parandalosh rritjen e mëtejshme në peshë dhe parandalimi i komplikacioneve të lidhura me peshën në pacientët tashmë obezë dhe parandalimi terciar të trajtosh me terapi për uljen në peshë në mënyrë që të eliminosh, ose të përmirësosh komplikacionet e lidhura me peshën dhe të parandalosh progresionin e sëmundjes.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave, dakordësi nga AKSHI, Gjendja Civile dhe Policia

Në komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare u mbajt një...

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, thirret sërish në SPAK

Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur...

GJKKO i sekuestroi 2 vila, Monika Kryemadhi ankimon vendimin!

Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi ka ankimuar vendimin e...