9.5 C
Tirana

Celibashi: Të rishikohen rregullat për mënyrën e votimit të diasporës dhe si do të llogaritet vota e tyre

Më datë:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë me gazetarët rreth procesit zgjedhor të 11 majit u ndal tek votimi nga jashtë. Ai tha se është e nevojshme të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit të diasporës dhe mënyrës si do të llogaritet ajo.

“Sa i përket votimit nga jashtë ka nevojë bazuar në eksperiencën e parë të zhvillimit të tij, të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdojnë t’u jepet mundësia për të votuar përmes postës, nëpërmjet internetit përmes qendrave të posaçme që mund të ngrihen, por do duhet të diskutohet për këtë. Njëkohësisht do duhet të diskutojmë se si do llogaritet dhe ku do të llogaritet vota e votuesve nga jashtë. Besoj nuk do të ketë kthim mbrapa. Kam dëgjuar disa që thonë që ky proces nuk ka nevojë të zhvillohet. Personalisht jam kundër, por do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit dhe mënyrën e llogaritjes së votës së tyre”, tha Celibashi.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se do të duhet një reformë e plotë dhe e vërtetë zgjedhore. Ai i bëri thirrje partive politike që të rikonsiderojnë organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Po ashtu, sipas tij, duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e parive pasi ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri.

“Vlerësoj që do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë dhe të vërtetë, partitë politike shqiptare si ajo e shumicës, apo ashtu ato të opozitës të rikonsiderojnë në kuadër të reformës zgjedhore, çështjet vijuese. Pikë së pari është ajo që ka të bëjë me organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar se është një dështim le ta themi kështu sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit. Duhet të konsiderohen në mënyrë radikale rregullat që lidhen me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri për këto rregulla sa i përket raportimit financiar, fuqizimit të kompetencave të KQZ-së për shqyrtimin dhe verifikimin e raporteve financiare”, tha Celibashi.

Ai foli edhe për një rishikim të rregullave që lidhen me fushatën elektorale sa i përket rrjeteve sociale dhe internetit, pasi për momentin janë të parregulluara në legjislacionin shqiptar.

“Rregullat për financimin e palëve të treta pjesëmarrëse dhe eksperienca e këtyre zgjedhjeve ka treguar dhe konfirmuar nevojën për të adresuar këtë çështje. Duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me fushatën elektorale në të gjitha llojet e mediave, përfshirë këtu, shto këtu edhe fushatën në rrjete sociale dhe në internet. Janë dy aspekte që sot gjenden të parregulluara në legjislacionin shqiptar. Duhet të rikonsiderohen rregullat me veprimtarinë e funksionarëve publikë në një periudhë të caktuara para datës së zgjedhjeve”, deklaroi Celibashi..

Një tjetër çështje që duhet parë me prioritet sipas Celibashit është edhe ajo e referendumeve.

“Nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë kushtetuese nuk është e rregulluar. Mendoj që kjo çështje duhet të jetë prioritet absolut për partitë politike”, tha Celibashi.

Sa i përket ankimimeve, Celibashi tha se ka kaluar koha që ato të bëhen nga Kolegji Zgjedhor.

“Në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor organi që i shqyrton ankimet zgjedhore, mund të jetë gjykata administrative e zakonshme, ose e Shkallës së Parë, ose e Apelit, ose Gjykata e Lartë. Nuk e shoh me dobi që në kompetencën gjyqësore të shqyrtimit të ankimit ta ketë Kolegji Zgjedhor. Mund të ketë qenë zgjedhje shumë e mirë në fillimet e saj, por mendoj që sot jo”, tha Celibashi.

Ilirjan Celibashi: Zgjedhjet e 11 Majit në nivelin e një vendi kandidat për në BE

I pyetur se çfarë note ai i vë zgjedhjeve, Celibashi u shpreh se për këtë pret raportin e misionit të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë shtoi se sipas opinionit të tij, zgjedhjet ishin të ngjashme me ato që bën një vend anëtar në BE.

“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë vetëm atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE-ODIHR. Raporti përfundimtar i tyre nuk ka dalë, besoj për punë ditësh del dhe besoj se do të pranoj çfarë note do të vendosin ata. Përtej kësaj mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse opozita ka thënë që nuk i njeh dhe ky është një problem që të bën të mendosh se nuk ka mundësi që opozita të dalë në një qëndrim të tillë, por unë mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE. Pra atë vendin anëtar nuk di të them, kur të bëhemi vend anëtar do të them se si bëhën zgjedhjet.”, tha Celibashi.

Mes të tjerash Celibashi u ndal në organizimin e komisioneve dhe rregullat e financimit të partive, duke theksuar se organizimi i zgjedhjeve është një prioritet për sa kohë është procesi i anëtarësimit në BE prioritet.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha: Takimet private s’më impresionojnë, analizë për çdo njeri në PD

https://www.youtube.com/live/C8hMuTcTbpM?si=_TaXs_VThYnjE6VT&t=819 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur...

Danimarka do të hapë ambasadë të re në Shqipëri në 2026

Ministria e Jashtme e Danimarkës ka njoftuar se do...

Tentativa për vrasjen e Bamit dhe Ndrekës: 27 të pandehur për gjykim, zbulohet roli i ish-deputetit dhe Martinajt

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar...