Çavusoglu: Irani dhe Rusia duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre në Siri

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se regjimi i Bashar al Asadit në Siri po përparon duke shkelur armëpushimin në rajonin e Idlibit. Ai thotë se Rusia dhe Irani si garantues të regjimit duhet ta parandalojnë këtë situatë.

I ftuar në panelin editorial të AA-së, Çavusoglu ka bërë disa vlerësime në lidhje me këto çështje me ç’rast ka rikujtuar se ambasadorët e Rusisë dhe Iranit në Ankara ditën e djeshme janë thirrur në Ministrinë e Jashtme për shkak të sulmeve të regjimit të Asadit.

Në pyetjen se “Çfarë po përpiqet të bëjë aktualisht regjimi dhe cilat janë pritjet e Turqisë nga Rusia dhe Irani?”, Çavusoglu tha se në një periudhë për më shumë se një vit kanë bërë përpjekje për të siguruar armëpushimin në Siri dhe për të hedhur hapa për rritjen e besimit.

Ai thekson se disa shkelje të armëpushimit i presin për shkak të situatës komplekse në Siri, por se situata e fundit është përtej kësaj.

Çavuşoğlu deklaroi se Forcat e Armatosura Turke vazhdojnë të vendosen në Idlib me detyrën e vëzhgimit të armëpushimit.

“Ne i kemi ndarë propozimet tona për pastrimin e grupeve terroriste atje. Nuk mund të ketë një metodë të tillë brutale si ‘Ta bombardojmë të gjithë qytetin dhe ta shkatërrojmë atë‘. Nëse këto do të ndodhin atëherë përse do t’i fillonim bisedimet në Astana?. Përse do të bisedonim në Soçi?. Gjithashtu edhe bisedimet në Gjenevë nuk do të kishin kuptim”, tha ai.

Ministri Çavuşoğlu në vijim tha: “I vëreni shkeljet e bëra, 95 për qind e tyre bëhen nga regjimi dhe grupet që mbështesin atë. Cili është qëllimi? Që regjimi duke përfituar nga ky proces të eliminojë opozitën e moderuar dhe civilët?”.

Më tej ai rikujtoi se garantuesit e regjimit janë Irani dhe Rusia.

“Irani dhe Rusia duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Nëse janë garantues atëherë duhet ta parandalojnë regjimin. Kjo nuk është një ofensivë e thjeshtë ajrore. Regjimi po përparon brenda Idlibit. Këtu qëllimi është i ndryshëm”, tha Çavusoglu.

“Europa duhet ta shikojë Turqinë si partner të barabartë”

Çavusoglu deklaroi se Evropia duhet ta shikojë Turqinë si partner të barabartë për të zhvilluar marrëdhënie të shëndosha.

“Ne ua kemi shprehur evropianëve. Ju duhet të na shihni si partnerë të barabartë, në mënyrë që të mund të zhvilloni marrëdhëniet tuaja të shëndetshme me ne”, tha ministri Çavuşoğlu në panelin editorial të AA-së.

Shefi i diplomacisë turke rikujtoi se pothuajse çdo ditë është në kontakt me homologun gjerman Sigmar Gabriel dhe se gjatë vizitës në Gjermani ai e ka pritur në shtëpinë e tij.

Çavusoglu shtoi se këto sjellje të tilla që kanë vend edhe në kulturën turke janë të nevojshme për të ndërtuar edhe besimin e ndërsjellë për popujt e dy vendeve.

“Ne dëshirojmë të vazhdojmë marrëdhëniet tona me BE-në në kuadër të respektit reciprok dhe kritereve të BE-së”, theksoi Çavuşoğlu, i cili shprehu nevojën për hedhjen e hapave për hapjen e një kapitulli.

“Nuk do të jemi në një mjedis ku është e pranishme YPG”

Në lidhje me Kongresin e Dialogut Kombëtar të Sirisë i cili do të zhvillohet në Soçi, ministri Çavusoglu ka nënvizuar se prania e organizatave terroriste në Soçi nënkupton minimin e zgjidhjes politike.

“Ne nuk parashikojmë një mundësi të tillë, por që në fillim kemi deklaruar qartë se nuk do të jemi në mjedisin ku ndodhet YPG dhe se nuk do të marrim pjesë në një proces të tillë”, tha ministri turk.

Në pyetjen nëse është arritur marrëveshje mes Rusisë dhe Iranit për pjesëmarrësit në Kongresin e Dialogut Kombëtar të Sirisë, Çavusoglu u përgjigj se Turqia, Irani dhe Rusia do të konsultohen së bashku për të vendosur se kush do të marrë pjesë në këtë kongres.

Mbështetja me armë e SHBA-ve për PYD/PKK-në ishte një tjetër çështje të cilën e përmendi ministri Çavusoglu, i cila tha se për këtë çështje ka patur deklarata të ndryshme nga SHBA-të dhe se nga terreni kanë ardhur informacione të ndryshme.

“Këtu ende nuk është krijuar situata që ne dëshirojmë. Procesi i ekstradimit të Fetullah Gylenit dhe fakti që SHBA i jep armë YPG-së janë dy nga çështjet më të rëndësishme që helmojnë marrëdhëniet tona. Nëse SHBA nuk i korrigjon gabimet e saj, marrëdhëniet tona mund të dëmtohen edhe më shumë”, shtoi ai.

Duke rikujtuar marrëveshjen në terren mes YPG-së dhe DEASH-it, Çavusoglu tha se kushtet e jetës në një situatë lufte kanë detyruar grupet që të zhvillojnë edhe tregti mes vete./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi