Deputeti i Partisë Demokratike, njëherazi zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Eno Bozdo tha sot se Projektbuxheti i vitit 2026 i paraqitur nga qeveria nuk adreson realitetin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo theksoi se projektbuxheti i vitit 2026 nuk pasqyron pritshmëritë e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.
Projektbuxheti, tha Bozdo, “nuk adreson asnjë shqetësim, problematikë dhe ide për t’i dhënë zgjidhje problemeve të rënda të vendit, si varfëria, shpopullimi, shëndetësia, shkollimi dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, bazuar në prodhimin industrial dhe bujqësor”.
Bozdo shtoi se ende në Kuvend nuk kanë mbërritur aktet e Paketës Fiskale. “Në kundërshtim më detyrimin ligjor, në Kuvend ende nuk kanë mbërritur aktet e Paketës Fiskale, ç’ka është absolutisht shkelje e standardit ligjor, por edhe atij logjik, pasi në komisione po diskutohen të ardhurat dhe shpenzimet e Projektbuxhetit, kur Paketa Fiskale që shpjegon si do të mblidhen këto të ardhura, është ende e panjohur për deputetët. Së dyti, rritja ekonomike prej 4% bazohet vetëm në rritjen e supozuar të dy sektorëve: ai i ndërtimit dhe ai i turizmit. Sektorët e industrisë dhe të bujqësisë që janë të vetmit sektorë prodhues, janë prej vitesh në rënie të lirë, dhe asnjë masë e natyrës ekonomike apo fiskale nuk propozohet për të mbështetur këta sektorë”, u shpreh Bozdo.
Sipas deputetit të PD, “të bazosh tërësisht rritjen ekonomike në dy sektorë si ai i turizmit dhe ndërtimit, është në rastin më të mirë një aventurë, sepse të dy sektorët që këtë vit kanë dhënë shenja të “ftohjes” së tyre. Sektori i ndërtimit varet thuajse tërësisht nga flukset e parave të pista që investohen, me bekimin e qeverisë, në këtë sektor. Sektori i turizmit varet nga zhvillimet politike dhe gjeopolitike, si dhe nga pandemitë dhe forca të tjera madhore. Prandaj ky është një model ekonomik aspak i qëndrueshëm, dhe parashikimi për rritjen ekonomike me 4% është shumë problematik”.
Bozdo tha se nuk parashikohet rritje e pensioneve. “Thjesht bonusi i fundvitit do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për 12 muaj të vitit. Efekti real është vetëm 100 milionë euro për të gjithë skemën e pensioneve, mesatarisht nga 10 euro çdo muaj për çdo pensionist”, tha Bozdo.
“Pagat. Edhe ato në të vërtetë nuk rriten. Për shumicën absolute të pagave thjesht aplikohet indeksimi i tyre, që është kërkesë ligjore dhe nuk vjen nga zemërgjerësia e qeverisë. Efekti total është përsëri vetëm 100 milionë euro. Por ndërkaq, qeveria ka vendosur të rrisë pagën minimale duke e çuar atë në 500 euro në muaj. Nga ky akt qeveria arkëton minimalisht 90 milionë euro, nga të cilat vetëm 10 milionë euro i kthehem mbrapsht sektorit privat. Pra përsëri pretendimi i Kryeministrit se sektori privat do të rimbursohet për këtë kosto shtesë, nuk është i vërtetë”, tha Bodo.
Deputeti i PD shtoi se, dy sektorët thelbësore për shqiptarët, arsimi dhe shëndetësia, janë shumë pak të financuar. “Këta sektorë qeveria i konsideron prioritare vetëm me fjalë. Arsimi financohet me 2,5% të PBB, ndërsa shëndetësia me 2,9%”, u shpreh Bozdo.
Ai shton se bujqësia “mbetet sektori i persekutuar i madh i kësaj qeverie. Janë parashikuar vetëm 53 milionë euro financim për fermerin, ku një pjesë e madhe e tyre shkon për shpenzime administrative të vetë skemës”.
Në fund, Bozdo u ndal dhe te kontratat e Partneritetit Publik-Privat. “Plot 125 milionë euro do të shkojnë për financimin e kontratave PPP në shëndetësi dhe infrastrukturë. 125 milionë euro që janë më shumë se rritja e pensioneve apo e pagave për 2026, por që paguhen në shërbime pak apo aspak të nevojshme për ne. Këto janë paratë tona që shpërdorohen haptazi, ekzaktësisht kur ne kemi më shumë nevojë për to”, u shpreh ai.
Bozdo e mbylli deklaratën duke theksuar se edhe për ndihmën ekonomike nuk ka asnjë rritje.


