Botërori i volejbollit, Rusia dhe Polonia në “Final Six”

Rusia dhe Polonia janë dy skuadrat e fundit që sigurojnë kualifikimin për në “Final Six” të Botërorit për meshkuj që po mbahet në Itali e Bullgari, duke iu bashkuar Italisë, SHBA-së, Brazilit dhe Serbisë.

Polonia, kampione në fuqi e botës, arriti të fitojë me rezultatin 3-0 pikërisht ndaj skuadrës serbe, të kualifikuar një ditë më parë, për të qenë mes 6 ekipeve më të mira të evenimentit. Polonia ishte e motivuar për të fituar këtë ndeshje dhe ia doli mbanë, falë edhe paraqitjes së shkëlqyer të Bartosz Kurek, i cili shënoi 21 pikë, 5 nga të cilat direkt nga shërbimi.

Ndërsa Rusisë, për të prerë biletën për në fazën e “Final Six” i duhej të fitonte me Finlandën dhe ia arriti qëllimit. Skuadra ruse nuk e pati aspak problem të fitojë këtë ndeshje, të cilën e pati gjatë gjithë kohës në kontroll. Rusia fitoi me lehtësi dy setet e parë të sfidës 25-17 dhe 25-19, ndërkohë që në setin e tretë, Finlanda rivalizoi pak më shumë. Por, edhe ky fraksion shkoi në favor të volejbollistëve rusë, të cilët e mbyllën atë 25-22 dhe krejt ndeshjen 3-0.

Në “Final Six” 6 skuadrat e kualifikuara u ndanë në dy grupe me 3 ekipe secila. Në Grupin I, shorti vendosi Brazilin, SHBA dhe Rusinë, ndërsa në Grupin J janë Italia, Polonia dhe Serbia. Dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen për në gjysmëfinale, nga ku do të dalin edhe dy ekipet që do të diskutojnë titullin botëror të këtij kompeticioni./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi