Zëvendësministri për Punët e Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Josip Brkić, deklaroi sot se nuk ka alternativë për rajonin përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në përfundim të takimit të Komisionit të Partneritetit SHBA-Karta e Adriatikut, në një deklaratë të përbashkët me zv/ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, Brkić theksoi se si perspektiva e BE dhe ajo euroatlantike duhet të vijnë me rezultate të prekshme për rajonin më shpejt se vonë, duke mos u lënë hapësirë lojtarëve të tjerë për të plotësuar elasticitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai uroi Shqipërinë për punën dhe përjekjet e investuara brenda 2024-ës, veçanërisht në rrethanat sfiduese me të cilat bota është përballur, si dhe për fokusin e forcimin e ndërsjellë në qëndrueshmëri e bashkëpunim.
“Rikonformojmë një gatishmëri prej tri dekadash dhe gatishmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar dhe riafirmuar më tej partnertetin nën frymën e respektit, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe interesave tona të përbashkëta. Kjo është hera e parë që Bosnje Hercegovina e merr përsipër kryesinë e Kartës SHBA-Adriatik”, u shpreh më tej, Brkić.
Tema e Bosnjë-Hercegovinës, si kryesuese për mandatin 2025, bëri të ditur Brkić, është qasje e përbashkët ndaj menaxhimit të krizave dhe ndërtimit të rezistencës.
Ai bëri të ditur se gjatë kryesimit, Bosnjë-Hercegovina do të organizojë takime të mbrojtjes dhe nivelit ministror, shefave të shtabit të përgjithshëm, presidentëve të komisioneve të jashtme dhe drejtuesve të politikave dhe të ministrive të mbrojtjes dhe punëve të jashtme.
Sipas tij, thelbi kryesor në aspektin e shtrirjes është bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Duke qenë një platformë diplomatike dhe e sigurisë për tu ndërtuar, Karta u ka shërbyer kombeve tona që të ndajmë interesa të përbashkëta në promovimin e sigrusisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan dhe më gjerë, dhe nxitjen e lidhjeve më të ngushta me BE dhe NATO-n”, deklaroi zv/ministri Brkić.
Ai theksoi se të bëhesh pjesë e familjes së BE-së nuk është detyrë e thjeshtë dhe se të gjitha vendet janë shumë më afër se më parë.
“Nuk ka alternativë për rajonin përveç anëtarësimit në BE dhe në këtë mënyrë, të mbrojë dhe të zgjerojë paqen, stabilitetin afatgjatë dhe prosperitetin për të gjithë vendet e Evropës Juglindore gjithashtu. Rajoni i përket Evropës, duke qenë i lidhur kulturalisht dhe historikisht me të. Si perspektiva e BE dhe ajo euroatlantike duhet të vijnë me rezultate të prekshme për rajonin, më shpejt se vonë, duke mos u lënë hapësirë lojtarëve të tjerë për të plotësuar elasticitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Sipas tij, forcimi i sigurisë dhe stabiliteti i tyre është i lidhur ngushtë me një mbështetje më të fortë të fqinjësisë së BE për zgjerimin dhe riafrimimin e perspektivës së BE-së dhe NATO-s.
“E ardhmja varet nga tejkalimi i sfidave dhe zhvillimi. Prandaj ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj vlerave demokratike të shtetit të së drejtës, të të drejtave njerëzore dhe lirive themelore, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”, tha ai.