Biden dhe Putin pritet të mbajnë bisedime të tensionuara

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin pritet të mbajnë një rund të tensionuar bisedimesh, pas rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufirin ukrainas, të ardhmes së NATO-s në rajon dhe kërkesave të sigurisë që ka Rusia.

Takimi i 7 dhjetorit do të mbahet përmes video-lidhjes. Ky është takimi i dytë ndërmjet dy liderëve që prej se Biden mori postin e presidentit në muajin janar. Takimi po shihet si më i rëndësishmi deri më tani, teksa Uashingtoni synon që të pengojë Rusinë nga një pushtim i mundshëm i Ukrainës dhe Kremlini që po kërkon garanci nga ish-republikat sovjetike që të mos bëhen kurrë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Një zyrtar i administratës amerikane tha për gazetarët më 6 dhjetor se Bideni do t’ia bëjë të qartë Putinit se administrata e tij do të “caktojë kosto shumë reale” mbi ekonominë ruse, nëse Kremlini vendos ta pushtojë Ukrainën. Biden po ashtu do ta bëjë shumë të qartë se “se ka një rrugë efektive përpara sa i përket diplomacisë”.

Administrata e Bidenit po ashtu tha se mbështetë “diskutimet ndërmjet NATO-s dhe Rusisë për të adresuar një sërë çështjesh që janë të rëndësishme për të dyja palët”, por nuk do ta heqë mundësinë që në të ardhmen Ukraina të bëhet pjesë e aleancës “dhe nuk do të operojë sipas vijave të kuqe të kujtdo”.

Putini vazhdimisht e ka përshkruar zgjerimin e NATO-s apo vendosjen e kapaciteteve mbrojtëse në Ukrainë si “vijë të kuqe”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve më 6 dhjetor se “patjetër, agjenda do të jetë për raportet dypalëshe, të cilat janë në gjendje mjaft të dhimbshme”.

Para bisedës me Putinin, Bideni ka biseduar me liderët e Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë. Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë tha se liderët kanë ripërsëritur mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe i kanë bërë thirrje Rusisë që të shtensionojë situatën në rajon.

Zyrtarët ukrainas thonë se mbi 90,000 trupa ruse janë vendosur pranë kufirit me Ukrainën – përfshirë edhe në Gadishullin e Krimesë, që Rusia e ka aneksuar më 2014, shkruan REL.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, grumbullimi i trupave pranë kufirit mund të arrijë deri në 175,000 trupa ruse. Kjo është një prej lëvizjeve më të mëdha të forcave ruse ndaj Ukrainës në këto vitet e fundit.

Që prej vitit 2014, Ukraina zhvillon një luftë në lindje të vendit kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Moska ka mohuar se furnizon apo financon luftëtarët separatist në lindje të Ukrainës, pavarësisht se ka prova të shumta që e thonë të kundërtën.

Mbi 13,200 persona kanë vdekur që prej se ka nisur konflikti dhe mbi 1 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi