Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të njësisë numër 8 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij kryedemokrati u ndal te legalizimet. Berisha tha se nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit.
“Garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria. Nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit. Se këta me këtë punë e bllokuan procesin. Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “ne ndërtuam 11300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike. I thashë ministrit që do shpronësohen me tarifa tregu. U ul me ta dhe protesta u ndërpre”.
Berisha u ndal edhe tek bonuset për qiratë.
“I prish shtëpinë, e vendos në një ndërtesë dhe u jep gjysmën e qirasë. Do e paguash të plotë qiranë me çmim tregu. Në qoftë se veprohet në këtë mënyrë qytetarët kanë besim tek qeveria dhe ligji. Në radhë të parë kanë besim tek e drejta që këta nuk dhunohen në mënyrë të padrejtë”, tha Berisha.
“Unë ju garantoj se këto pika të përcaktuara bashkërisht, firmosen këtu para jush nga Sali Berisha dhe do të jetë një nga aktet e para të qeverisë”, tha Berisha.
“Nuk mund të vendosësh rregull në qoftë se nuk përligj, nuk zgjidh problemin e legalizimit. Zgjidhja e problemit të legalizimit duke këputur “Nyjen gordiane”, sepse kur gjërat janë të komplikuara, nyja pritet dhe ne i japim përgjigjen më të mirë këtij problemi të krijuar”, u shpreh kryedemokrati.