Partia Demokratike përkujtoi sot 8 dhjetorin, me rastin e Ditës së Rinisë. Kreu i selisë blu vendosi kurorë me lule në shtatoren e liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari. Të pranishëm ishin edhe dy djemtë e Hajdarit, Kiri dhe Azemi, të cilët qëndruan krah Berishës në ceremoninë solemne, si dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të ndryshëm.
“Nderim përjetë Azem Hajdarit, studentëve liberatorë të dhjetorit ’90. Zoti e bekoftë rininë e Shqipërisë, misionin e saj”, tha Berisha në fjalën e tij.
Ai u shpreh se gjer në mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit 1990 në Shqipëri përjetonin shtypjen e diktaturës së egër, e cila ndryshoi falë vendosmërisë së studentëve. Gjithsesi ai u ndal edhe te situata e sotme, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se mbron vjedhjet dhe se është armik i të rinjve.
“Ai sot është i pari kryeministër që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe ministrave të tij., Sot më 8 dhjetor Rama vjen si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë në tërë historinë tonë. Në 10 vitet e sundimit të tij plaçkitës dhe narkoregjim me politikat e tij përzuri nga Shqipëria rreth 700 mijë të rinj dhe të reja”, tha ai.
Sipas Berishës, “shpresa e vetme për të përmbysur regjimin Ramaduro është rinia shqiptare, është gjenerata Z, është gjenerata që ka bërë historinë në botë vitet e fundit”.
Në ceremoni foli edhe djali i Azem Hajdarit i cili mban të njëjtin emër me të. Azem Hajdari falenderoi të gjithë të pranishmit që mbajnë gjallë kujtimin e babait të tij dhe të gjithë heronjve të dhjetorit ‘90.
“Kujtojmë heronjtë e asaj kohe që ishte babai im, ju falenderoj që bëni pjesë këtu sot dhe mbajmë përherë kujtimin gjallë dhe ndjekim të njëjtat ideale jo për veten tanë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, për mbesat tona, për shtetin tonë dhe për të ardhmen tonë që mendoj se do të jetë e sigurt nëse ne luftojmë”, tha djali i Azem Hajdarit.

Në fjalën e tij, kreu i të Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferri, i bëri thirrje të rinjve që të zgjohen dhe të bëjnë atë që prindërit e tyre bënë 35 vite më parë. Ai bëri fajtor Edi Ramën për situatën në vend dhe tha se duhet largimi i tij.
“Nuk duhet të largohemi nga ky vend, dhe nuk duhet ta heqim vëmendjen nga problemet e përditshme të shoqërisë sonë. Duhet të solidarizohemi, të mblidhemi dhe të unifikohemi dhe të shpallim një armik. Ai është Edi Rama, është njeriu që po na largon nga ky vend dhe duhet ta largojmë. Boll më, nga këtej e tutje duhet protestë, duhet grevë, duhet revoltë dhe duhet largimi urgjent i Edi Ramës”, tha ai.
Sot Shqipëria përkujton Ditën Kombëtare të Rinisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë së vendit, që shënon 35 vjet nga fillimi i lëvizjes studentore të vitit 1990, protestat paqësore që i dhanë fund regjimit komunist dhe hapën rrugën drejt demokracisë.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës ndërmorën veprimin vendimtar, duke u bërë protagonistë të protestave që ndryshuan historinë e Shqipërisë. Ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhët e tyre qytetarë të shumtë, dhe me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës.


