Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare për ekzistencën, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit thekson se në një periudhë kritike për shtetin e ri shqiptar, përfaqësues nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnjë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit.
“106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit”, shkroi Begaj në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i Shtetit thekson se “Kongresi i Lushnjës dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran”.
Presidenti shprehu nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar.
Më 31 janar 1920 përfunduan punimet e Kongresit të Lushnjës, i konsideruar si nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar.
Teksa Shqipëria kanosej nga copëtimi territorial pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet u mblodhën më 21 janar të vitit 1920 në Lushnjë, për të mbajtur një kongres kombëtar.
Në ditën e fundit të punimeve, Kongresi emëroi kabinetin e qeverisë, me kryeministër Sulejman Delvinën, si dhe zgjodhi anëtarët e senatit.
Në kongres ishin pjesëmarrës figura të shquara si Aqif Pashë Elbasani, Shefqet Daiu, Ahmet Zogolli dhe Mytezim Këlliçi.
Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.


