Becht: Përshpejtim i ndërlidhjeve mes Ballkanit Perëndimor

Ministri i deleguar francez për Tregtinë e Jashtme, Olivier Becht deklaroi sot se objektiv kryesor mbetet përshpejtimi i ndërlidhjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregut të përbashkët të Bashkimit Europian.

Becht ishte i pranishëm në ministerialin euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, i cili po zhvillohet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.

Becht pranoi se Franca për një kohë shumë të gjatë ka munguar në Ballkanin Perëndimor, por siç theksoi ai, “po përfshihet sërish dhe po riangazhohet që nga viti 2019 në të gjitha fushat”.

Ministri francez u shpreh se është e nevojshme të përshpejtohet procesi i
bashkëpunimit ekonomiko-shoqëror i këtij rajoni në BE, ku është edhe destinacioni përfundimtar.

“Nevojitet më shumë ekonomi e integrim për gjithë rajonin. SME-të na kanë treguar edhe pjesët praktike dhe dalin dy gjëra të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kompanitë e mëdha si SME-të kanë vlerën e tyre në pjesën e shkëmbimeve në Ballkanin Perëndimor, por jo gjithmonë kanë burimet për të studiuar tregun dhe hapësirën rregullatore të 6 vendeve të ndryshme.

Ndaj, Becht theksoi se objektivi i këtij takimi është të përshpejtohen ndërlidhjet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregut të përbashkët të BE-së.

“Nëse bëhet në mënyrën e duhur kjo krijon mundësi për konvergjencë në tregun e përbashkët, lehtëson më shumë përfshirjen e sektorit privat dhe do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e procesit në BE”, shtoi ai.

Becht vlerësoi po ashtu se është bërë një punë mbresëlënëse për sa i përket tregut të  përbashkët dhe Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor.

“Ka një listë të rëndësishme masash që do të kenë një ndikim konkret për sa i përket tregtisë, shërbimeve profesionale dhe transaksioneve financiare. Shërbimet profesionale gjithmonë e më shumë po bëhen element rajonal. Transaksionet financiare do të jenë më pak të kushtueshme dhe më të shpejta dhe SME-të do të jenë përfituesit kryesor në këtë proces”, theksoi Becht.

Sipas tij, “BE do të çelë një proces të ri të rritjes për gjithë rajonin që do të ndikojë në rritjen e lidhjeve mes tregut të përbashkët dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke kontribuar në përshpejtimin e reformave fondamentale”.

“Presidenti francez Macron ka thënë se zgjerimi duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Pra, çështja tani nuk është ‘nëse’ dhe ‘kur’ por ‘si’. Kjo është pyetja kryesore. Është bërë punë në Paris dhe Berlin, nuk kemi më kohë për të humbur. Plani për rritjen e zhvillimin ekonomik të Evropës do të ketë një stimul të ri. Dinamikat e Procesit të Berlinit ku ne po kontribuojmë sot, do të na tregojnë se po ecim në drejtimin e duhur”, tha Becht.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi