BE, projekt prej 5.5 mln eurosh për të luftuar krimin në Shqipëri, ministri Çuçi: Përmirësojmë metodat e hetimit

U prezantua sot në Tiranë projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri përmes hetimit kriminal dhe financiar”, i zbatuar nga FIIAPP, që mbështet agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit.

I pranishëm në prezantimin e projektit, përkrah zyrtarëve të lartë lartë të BE, ishte edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili tha se “ky projekt do të rrisë cilësisht kapacitetet tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës në Shqipëri përmes trajnimesh apo gjërave të ngjashme, si dhe do të përmirësojë metodat e hetimit përmes mbështetjes me pajisje të teknologjisë së lartë, programesh kompjuterike si dhe asistencës së përditshme përmes pranisë fizike të ekspertëve europianë”.

Fjala e plotë e ministrit Çuçi:

Përshëndetje të nderuar ambasadorë,
E nderuara znj. Terron Cusi,

Ministria e Brendshme e ka në prioritetet kryesore luftën kundër krimit të organizuar. Prej vitesh tashmë, realizimit të këtij qëllimi i kemi dedikuar strategji e plane veprimi të posaçme, struktura e burime të posaçme, vëmendje të gjithanshme. Për këtë arsye, konferenca e sotme me temë “Lufta kundër krimit të organizuar nëpërmjet hetimit penal dhe financiar”, ka një rëndësi të padiskutueshme, pasi përputhet plotësisht me prioritetet e punës sonë.

Zhvillimi i kësaj konference ngre siparin e fazës së parë të këtij projekti të BE-së, unik në llojin e vet. Ky projekt është ndër më të rëndësishmit në kuadër të bashkëpunimit me BE dhe vendet partnere.

Buxheti i parashikuar është 5.5 mln euro për luftën kundër krimit mbetet një donacion bujar i vendeve të BE-së dhe me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për këtë suport tejet miqësor.

Thuajse gjysma e këtij fondi do të shkojë për vetëm për pajisjet e reja, mbi 2.4 mln euro. Ky investim për modernizimin e infrastrukturës përmbush aspiratën tonë kyçe për ta sofistikuar dhe rritur cilësisht punën e organeve ligjzbatuese, sikurse të jemi një vend i BE-së.

Jemi besimplotë në përpjekjet tona në luftën kundër krimit, pasi kemi mbështetjen e agjencive ligjzbatuese të të gjitha vendeve të BE-së.

Njëherësh ky projekt do të rrisë cilësisht kapacitetet tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës në Shqipëri përmes trajnimesh apo gjërave të ngjashme, si dhe do të përmirësojë metodat e hetimit përmes mbështetjes me pajisje të teknologjisë së lartë, programesh kompjuterike si dhe asistencës së përditshme përmes pranisë fizike të ekspertëve europianë.

Investimi për Institutin e Policisë Shkencore do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve hetimore.

Gjithashtu mbështetja për ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore mes policive tona do të reflektohet në rezultate solide në luftën kundër krimit.

Ai është praktikisht një master-plan gjithëpërfshirës në luftën kundër krimit të organizuar, pasi, përveç Policisë së Shtetit, mbështetje e barabartë do të jepet edhe për Prokurorinë Speciale (SPAK), Njësinë e Hetimit Financiar (DPPPP), Prokurorinë e Përgjithshme, Byronë e Hetimit, Doganat dhe praktikisht çdo agjenci ligjzbatuese në vend.

Të gjitha ato janë rreshtuar në një front të përbashkët në luftën kundër krimit, çka i jep një natyrë ndër-institucionale.

Sa i përket Ministrisë së Brendshme, siç thashë në fillim, ne tashmë kemi nisur prej gati 15 muajsh një operacion në shkallë të gjerë, të emërtuar “Operacioni Forca e Ligjit”, i cili synon pikërisht zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive dhe llogarive bankare të personave që kanë një hipotekë kriminale në curriculumin e tyre. Gjatë vitit kalendarit 2020, Policia e Shtetit ka referuar në SPAK 243 dosje që korrespondojnë me 1,877 pasuri të ndryshme, të tilla si ndërtesa, lokale, troje, llogari bankare etj. Ne kemi besim se organet e reja të drejtësisë do të japin vendime të drejta për të gjitha pasuritë me burim të dyshimtë.

Ndërkaq, pasuritë e sekuestruara për të cilat është dhënë vendimi nga gjykata, sipas procedurave i kanë kaluar në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. Qëllimi final është që ato të kalojnë në shërbim dhe në dobi të qytetarëve.

Pavarësisht këtij rezultati të panjohur më parë për punën e policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në vend, ne ende kemi mjaft punë për të bërë në drejtim të zbulimit dhe konfiskimit të parasë së pistë; tentativave për larjen e parasë së pistë; apo thjesht bllokimit të çdo lloj financimi që furnizon krimin dhe trafikun e drogës.

Na bën më të sigurt fakti që kemi mbështetjen në këtë përballje tonën me krimin dhe trafikun e drogës, nga vendet mike të tilla si Spanja, Italia e Holanda, të cilët janë njëherësh vendet që përfaqësojnë BE-në në implementimin e këtij projekti.

Në implementimin e projektit, do të jenë të përfshirë ekspertët spanjollë, të cilët kanë një përvojë të gjatë në këtë fushë. Përveç ekspertëve spanjollë, do të jenë edhe ekspertët italianë të Ministrisë së Drejtësisë, të GDF (Guardia di Finanza) si dhe të Policisë Kombëtare së Holandës.

Shqipëria ka përqendruar gjithë vëmendjen në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Së shpejti, pritet të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare mes përfaqësuesve të BE-së dhe qeverisë sonë. Aprovimi dhe implementimi i një projekti si ky i sotmi, i jep pa dyshim një shtysë të rëndësishme aspiratave tona euro-integruese.

Fakti që Shqipëria ka fituar tashmë besimin edhe të gjitha vendeve të BE-së, është një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur.

Duke shprehur falënderimit e mia për të gjithë pjesëmarrësit sot në këtë takim uroj që ky projekt të realizohet në çdo detaj të parashikuar në letër.
Ju faleminderit shumë!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi