BE përshëndet ratifikimin e Demarkacionit

 

 

Përfaqësuesit e lartë europianë e vlerësuan si arritje të madhe ratifikimin nga Kosova të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

 Shefja për Politikën e Jashmte në Bashkimin Europian, Federica Mogherini; Komisioneri për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos; si dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Johannes Hahn, thanë përmes një deklarate të përbashkët se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është është hap thelbësor drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës paraqet një arritje dhe përparim, që është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ratifikimi shënon gjithashtu përmbushjen e një prej kritereve kyçe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç tha edhe presidenti Jean Claude-Juncker, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ky është një hap tejet i rëndësishëm në rrugën drejt liberalizimit të vizave, nga i cili më së shumti përfitojnë qytetarët”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Përfaqësuesit e lartë të BE-së shtojnë se, presin që të gjitha palët në Kosovë të vazhdojnë punën dhe përpjekjet për heqjen e regjimit të vizave.

Ndërkohë, raportuesja në Parlamentin Europian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon thotë se, me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është hequr një pengesë e madhe për Kosovën. Ajo thotë se do të bëjë “më të mirën”, që qytetarët e Kosovës të lëvizin shumë shpejt pa viza, duke shtuar se Kosova nuk ka qenë kurrë “më afër Europës”.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi