BE ndihmon Kosovën në Reformën e Administratës Publike

Zyra e Bashkimit Europian (BE) në Kosovë në partneritet me Ministrinë e Administratës Publike organizuan seminar për të paraqitur rezultatet dhe rëndësinë e implementimit të Reformës së Administratës Publike.

Në këtë seminar me përfaqësues nga BE-ja dhe nga institucionet e Kosovës, u tha se është shënuar progres në reformimin e Administratës Publike vitin e fundit.

Shefi i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, tregoi se reforma në Administratë Publike ka filluar të mbështetet nga BE-ja dy-tre vitet e fundit.

Ndihma e BE-së, siç tha ai, do të mundësojë edhe më tutje modernizimin e Administratës Publike, konkretisht duke ofruar iniciativa për të përmirësimin e disa mekanizmave brenda saj.

“Procesi i reformës përkthehet në akte në parime të Qeverisjes së mirë të theksuara në Kushtetutë dhe rikonfirmojnë objektivat e përgjithshme të strategjive të ndryshme që të gjitha këto që kontribuojnë për ta bërë Kosovën një vend demokratik modern, që respekton sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, transparencën, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen e Qeverisë dhe në llogaridhënien e vendimmarrësve”, tha Brusa.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se bashkë me BE-në kanë pasur koordinim të mirë, qasje dhe vizion të qartë, ndërsa rezultatet do të tregohen edhe në të ardhmen në praktikë.

Yagcilar tha se arsyeja e kësaj reforme është krijimi i një Administrate Publike sa më profesionale, moderne dhe efikase.

“Qëllimi është të kemi një administratë publike sa më profesionale, sa më efikase dhe mos të jetë e ngarkuar me shumë institucione të cilat kanë mangësi në raportime, llogaridhënie dhe shumë çështje të tjera. Qëllimi i reformimit të institucioneve është që rezultati dhe ofrimi i shërbimeve të institucioneve edhe shtetërore por sidomos qeveritare të jenë sa më efikase”, tha Yagcilar.

Koordinatori Nacional për Reforma, Besnik Tahiri, tha se pjesë e reformës në Administratën Publike janë edhe dy ligje: ai i numrit të ministrive që do të kufizohet në 15 (nga 21 sa janë aktualisht) dhe numri i zëvendësministrave që do të kufizohet në jo më shumë se dy.

Miratimi i këtyre dy ligjeve, sipas Tahirit, përbën hapin më të madh në reformën në administratën publike, ndërsa ato siç tha ai, do të zbatohen plotësisht nga 1 nëntori i këtij viti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi