BE miraton rezolutën për Shqipërinë

Parlamenti Europian ka miratuar ditën e djeshme rezolutën për Shqipërinë, duke e ndalur theksin kryesor tek reforma në drejtësi. Eurodeputetët e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë miratuan rezolutën për Shqipërinë me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenime.

Njëzëri europarlamentarët mirëpritën progresin e shpejtë të vendit tonë në lidhje me reformat e lidhura me integrimin europian, si dhe hapat e mëtejshëm të ndërmarra për të forcuar pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë shqiptare.

Mirëpo, edhe pse përgëzuan përmirësimet domethënëse të bëra nga Shqipëria për të forcuar kuadrin e saj ligjor dhe institucional, sikurse edhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar, eurodeputetët e këtij komisioni mbetën të shqetësuar nga niveli i lartë i korrupsionit, ritmi i ngadalshëm në vazhdimësi dhe mosefiçenca në sistemin e drejtësisë, dhe faktin se mangësitë në sundimin e ligjit.

Për këtë arsye, Brukseli ka kërkuar që të ngrihet me urgjencë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. “Kërkohet avancimi i mëtejshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe finalizimin e themelimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese. Kërkohet finalizimi i themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (NBI) dhe Gjykatës.

Kërkohet forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë”, theksohet në rezolutë. Megjithatë, rezoluta miraton rrugën e përcaktuar nga Këshilli për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë në qershor të vitit 2019, me kushtin që vendi të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi