BE ka mbyllur vitin 2018 me shkallën e papunësisë prej 6,6 për qind

Bashkimi Europian ka mbyllur vitin 2018 me një shkallë të papunësisë prej 6,6 për qind, tha të enjten zyra e BE-së për statistika.

Krahasuar me vitin paraprak, papunësia në BE është ulur me 0.6 për qind, pasi në dhjetorin e vitit 2017 ajo ka qenë 7.2 për qind.

“Eurostat vlerëson se 16.3 milionë burra dhe gra në BE28, nga të cilët 12.9 milionë brenda Eurozonës kanë qenë të papunë në dhjetor të vitit 2018,” tha zyra e BE-së për statistika.

Eurozona ose EA19, përfaqëson shtetet të cilat kanë monedhën e përbashkët euro, ndërsa BE28 janë shtetet anëtarë në Union.

Eurostat thotë se shkalla më e ulët është regjistruar në Republikën Çeke me 2,1 për qind e ndjekur nga Gjermania me 3,3 për qind, ndërsa shifrat më të larta janë regjistruar në Greqi me 18,6 për qind dhe Spanjë me 14,3 për qind.

“Krahasuar me një vit më parë, shkalla e papunësisë është më e ulët në të gjitha shtetet, përveç në Francë ku mbeti e pandryshuar”, thotë Eurostat.

Shifrat zyrtare të publikuara flasin se 3.36 milionë të rinj të moshës nën 25 vjeçare janë të papunë, nga të cilët 2.39 milionë në Eurozonë, që krahasuar me një vit më parë shënon ulje për 249 mijë në BE28 dhe 141 mijë në Eurozonë, shkruan aa. Shkalla më e ulët e papunësisë të të rinjve është regjistruar në Republikën Çeke, Gjermani dhe Holandë, ndërsa më e larta në Greqi, Spanjë dhe Itali.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi