Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, mbajti fjalën në emër të grupit parlamentar të EPP.
Basha foli në lidhje me sfidat me të cilat përballet Evropa si pasojë e konflikteve, si lufta në Ukrainë dhe kriza në Lindje të Mesme.
“Lufta në Ukrainë vazhdon të zhvillohet me egërsi. Tmerr i papërshkrueshëm, sulme ndaj civilëve dhe fëmijëve, sulme ndaj spitalit të fëmijëve në Kiev, dhe krime të tjera lufte vazhdojnë të ndodhin. Kjo Asamble ka qenë në ballë të propozimit të masave proporcionale për të trajtuar agresionin e paprovokuar të Rusisë. Krijimi i tribunalit ndërkombëtar për krimin e agresionit është një nga këto masa. Ne të gjithë duam dhe shpresojmë të ketë progres në këtë drejtim përpara se të jetë tepër vonë”, tha Basha.
“Bota po përballet gjithashtu me një konflikt tjetër që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme. Kemi parë të pafajshëm izraelitë, palestinezë dhe tani libanezë që janë vrarë në këtë konflikt. Rreziku që më shumë civilë të dëmtohen rritet nga dita në ditë. Diplomacia duhet të mbizotërojë mbi armët dhe një zgjidhje paqësore mbi terrorin dhe agresionin”, theksoi Basha.
Ai u shpreh se, “fokusi ynë duhet të mbetet në mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur, duke kërkuar njëkohësisht të parandalohet humbja e jetëve të pafajshme të shkaktuara nga veprimet e këtyre grupeve ekstremiste.
Basha shfrytëzoi rastin për të sjellë në vëmendje situatën në Ballkan, ku liderët autoritarë mund të shfrytëzojnë tensionet rajonale.
Basha bëri thirrje për vënien para drejtësisë të terroristëve që shkaktuan Banjskën një vit më parë dhe domosdoshmërinë për të mbajtur përgjegjës frymëzuesit dhe organizatorët që gjenden në Beograd.
“Këto konflikte kanë ndikim në secilin prej vendeve tona. Në Ballkan, autokratët po përpiqen të përfitojnë nga situata për të shkatërruar më tej sundimin e ligjit dhe për të ringjallur konfliktet e vjetra”, tha Basha.
“Ka kaluar më shumë se një vit që nga sulmi terrorist në Banjskë. Ka kaluar më shumë se një vit që një prej kolegëve tanë, Knut Abraham, ka paraqitur një propozim të nënshkruar nga një numër i mjaftueshëm anëtarësh të kësaj Asambleje për një hetim të këtij akti”, shtoi Basha.
Prandaj, shtoi Basha, “i bëj thirrje Asamblesë të vazhdojë pa vonesë edhe në këtë drejtim”