Qeveria shqiptare po bashkëpunon me komunitetin e biznesit në vend për të ngritur strukturat dhe instrumentet e përshtatshme për të tërhequr fondet e Bashkimit Europian të vendosura në dispozicion të sipërmarrjes, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në panelin me temë: Instrumentet e BE-së për ndërmarrjet dhe politikat industriale sipas Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit.
Në fjalën e saj në këtë takim, Balluku bëri të ditur se vendi ndodhet në një moment historik, ulur në tryezën e negociatave të anëtarësimit, e përfaqësuar nga grupe që vijnë nga radhët e administratës shqiptare, por të cilët janë vlerësuar shumë pozitivisht për performancën dhe profesionalizmin e tyre.
“Ndaj ka ardhur momenti që ne të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe të punojmë për ngritjen e infrastrukturës dhe të instrumenteve të duhur, të cilët do t’i shërbejnë biznesit për të aksesuar fondet e programeve ekonomike të Bashkimit Europian, fonde të cilat janë aty, por që fatkeqësisht nuk e kemi pasur deri më sot një strukturë, nuk e kemi pasur një instrument për të mbështetur dhe për të udhëhequr sipërmarrësit tanë në këtë proces të ri për Shqipërinë, por që ka kohë që ndodhet aty dhe që vendet e tjera edhe ato të rajonit e kanë aksesuar”, tha Balluku.
Ky është momenti, shtoi ajo, për të bashkëpunuar që të aksesohen këto programe.
Sipas saj e vetmja gjë që ne duhet të ngremë sot, janë instrumentet për të pasur një aksesim sa më të plotë, sa më të shpejtë dhe për të qenë në të njëjtin nivel të konkurrencës me të gjithë sektorët e biznesit privat në rajonin tonë”, tha ajo.
“Growth Plan, një paketë prej 6 miliardë eurosh që do të aksesohet përmes granteve dhe kredive dhe që është e destinuar për rajonin tonë. Një program shumë i rëndësishëm është Horizon, i cili ka një disponueshmëri prej 95.5 miliardë eurosh, të cilat përmes konkurrencës, përmes projekteve dhe përmes instrumenteve të ndryshëm që ne do të diskutojmë me njëri-tjetrin, mund të aksesohet nga bizneset private për të mbështetur iniciativat e tyre, projektet e tyre në sektorë të ndryshëm dhe sigurisht siç tha edhe Arbeni, duke pasur parasysh të gjitha ato kritere dhe axhenda prioritare të Bashkimit Europian”, u shpreh Balluku.
Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, theksoi Balluku, do të jetë një krah i fuqishëm pranë biznesit për të siguruar financim nga këto programe të mirëfillta ekonomike.
Nga ana tjetër, edhe Këshilli Kombëtar Ekonomik, tha Balluku, do të jetë një strukturë në funksion të këtij objektivi.