Balla: Reforma Zgjedhore, shumë shpejt në Kuvend

Në një deklaratë për mediet, në dalje të punimeve në një nga komisionet parlamentare, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se paketa për Reformën Zgjedhore do të shkojë sa më parë në Kuvend.

Edhe pse ishte parashikuar që kjo reformë të ishte votuar deri në fund të vitit 2018, për shkak të bojkotit të Kuvendit nga opozita, shumica qeverisëse nuk i kishte votat e mjaftueshme të një shumice të cilësuar për ta miratuar e vetme atë.

“Jemi në kohë për të pilotuar në 200 qendra, aspektet e teknologjisë në zgjedhje. Nëse teknologjia rezulton efikase, të bëhemi gati ta vendosim edhe në zgjedhjet e vitit 2021”, tha Balla sa i përket përdorimit të teknologjisë.

Balla falënderoi partnerët për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të mbylljes së Reformës Zgjedhore.

“Kemi arritur në një draft që përmban kërkesat e të gjitha opozitave, edhe asaj aktuale. Me të miratuar këtë Reformë Zgjedhore, duhet të fillojë puna edhe për votën e emigrantëve. Jemi shpresëplotë që në qershor do të mund të hapim negociatat me BE-në”, tha Balla.

Ndërkohë ai konfirmoi se, për sa kohë që nuk kanë refuzuar asnjë kërkesë deri tani për komision hetimor, nuk kanë për ta bërë këtë edhe me komisionin e kërkuar së fundi nga opozita.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi