Balla: Pavarësisht ç’thonë gojët e liga, zgjedhjet më 30 qershor

PS ka vijuar në Elbasan fushatën e saj për zgjedhjet e 30 Qershorit, për të cilat edhe një herë, Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla garantoi se do të mbahen në datën që e përcakton Kushtetuta.

“Pavarësisht se ç’thonë gojët e liga, zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor.

“Edhe pse Presidenti i Republikës u përpoq të hynte në lojë për të mbështetur sado pak të shoqen dhe shokun e të shoqes, Lulin, zgjedhjet do të bëhen sepse zgjedhjet nuk i caktojnë partitë. Partitë i thërret populli një herë në 4 vjet për pushtetin vendor, një herë në 4 vjet për pushtetin qëndror, në provim.

Balla nuk la pa përgjigje një tjetër deklaratë të Presidentit, për gjoja shpërndarjen e Parlamentit, për të cilën Balla u shpreh:

“Shkodranët kanë një shprehje, “mos të hyftë vetja në qef, ose të hyftë vetja në qef se e sheh pastaj. Presidentit, për fat të keq i ka hy vetja në qef dhe ka hap haberin se gjoja do të shpërndajë Parlamentin. Se çfarë Kushtetute ka Presidenti, nuk e di, por kam frikë mos ka ngatërruar Kushtetutën me bllokun e zi.”-theksoi Balla.

Duke marrë shkas nga publikimet e revistës amerikane Mother Jones për financimet ruse të PD, Balla kërkoi hetimin deri të fund të atyre që punojnë kundër interesave të Shqipërisë:

“Të gjithë e morët vesh lajmin të cilin unë që para një viti e kisha deklaruar në konferenca shtypi e në parlament. Fola për një skandal të madh që kishte prekur zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri.

Për herë të parë, një parti politike shqiptare, siç është Partia Demokratike, kishte marrë 14 milion dollarë mbështetje financiare nga një vend që nuk është mik me Shqipërinë, nga Rusia.

“Me dokumenta, një prej revistave më prestigjoze amerikane, Mother Jones, nxorri se si dy rusë, që i kishte rënë në zemër për Lulin, paguan që Lulzim Basha të bënte lobing kundër imazhit të Shqipërisë.

“Tashmë petët e byrekut u hapën, dhe Lulzim Basha, siç njofton Prokuroria është zyrtarisht, i pandehur.

“Imagjinoni sikur kjo t’i kishte ndodhur njërit prej nesh, a do të ishte thirrur protesta më e madhe, pastaj ajo më e madhja dhe ajo më e madhja fare?

“Po ne? Ne, prej ditës së parë gjithnjë kemi pas një qasje: “Në demokraci gjyqi i kujtdo nuk bëhet me protesta, bëhet në prokurori e në gjykatë.”

“Thirrja ime përkundrejt institucioneve të drejtësisë , të drejtësisë së re që po lind, është që kjo çështje duhet zbardhur në të gjitha detajet e veta.

“Kjo përpjekje, që nuk është e vetmja, e atyre që nuk kanë interesa të mira ndaj Shqipërisë, për të financuar parti politike të cilat punojnë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kundër Reformës në Drejtësi, duhet zbardhur.” tha Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi